Krasniqi: U bë një marrëveshje për të mos pasur Reformë Zgjedhore

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, komentoi në studion e “Ditari” arritjen e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, duke e cilësuar atë si “një marrëveshje për të mos pasur Reformë Zgjedhore”.

“Të gjithë prisnim marrëveshje që të kishte Reformë Zgjedhore, kjo ishte marrëveshje për të mos pasur Reformë Zgjedhore, por që palët të shkonin në zgjedhje me një klimë të shtensionuar dhe sot u hoq argumenti i kontestimit të zgjedhjeve. Ky është zhvillimi pozitiv. Të gjitha të tjerat nuk janë themelore për zgjedhjet dhe nuk lidhen me standardet e zgjedhjeve. Rezultati i sotëm është shumë më larg nga ajo që kanë pritur qytetarët. Për ambasadorët, ky është sukses i madh. Shqipëria nuk arriti dot të menaxhojë një krizë minimale politike, që e shkaktoi vetë. Ata hynë në lojë dhe arritën sukses. Këtë gjë, deri diku do ta përdorin në të ardhmen për të bërë presion ndaj klasës politike, sa herë që do të ketë problematika të tilla”, u shpreh Krasniqi.

Më tej, ai tregoi se kush fitoi dhe kush humbi nga marrëveshja e sotme.

“Opozita ka kërkuar një sërë masash shtesë dhe të sigurisë, një nga ato është identifikimi biometrik dhe mazhoranca e ka pranuar këtë me kushtin që opozita të bëhet pjesë e sistemit. Politikisht, mazhoranca është e fituar sot, për arsye se opozita nuk është e përfaqësuar në institucione dhe ka pranuar institucionet e mazhorancës me një çmim të cilin mazhoranca është e gatshme që ta paguajë, që çdo vendim i Këshillit Politik të votohet nga Parlamenti pa u ndryshuar, duke formalizuar rolin e Parlamentit. Detajet e tjera nuk sjellin reformë dhe nuk kanë rëndësi për publikun. Që kur opozita pranoi të hyjë në Këshillin Politik, mori parasysh faktin që nuk do të arrijë dot të realizojë asnjë nga kërkesat e saj politike, pasi nuk mundesh t’i realizosh kur ke përballë palën tjetër dhe ku po negocion me të. Kërkesat politike realizohen kur i bën presion palës tjetër dhe presion i bën kur qytetarët të përkrahin dhe ka reagime e protesta. Për momentin, opozita ka marrë një gjë të rëndësishme: kalimi i Këshillit Politik mbi Parlamentin”, shpjegoi Krasniqi.

“Vota blihet përpara, trafiku bëhet përpara, kandidatët e blejnë vendin më përpara, ndërsa dita e zgjedhjeve ka qenë shumë normale. Ky është rreziku kryesor për zgjedhjet e ardhshme. Mazhoranca arriti sukses të madh sepse opozita është jashtë sistemit”, shtoi analisti i A2.

Sipas Krasniqit, është humbur rasti për të bërë një reformë reale: “Do ta shikojmë në vitet e ardhshme që nuk do të ketë impakt në demokracinë në Shqipëri, por është humbje shansi për të bërë reformë reale në Shqipëri. Prisnim që minimalisht të kishte reformim të financimit elektoral dhe reformim të legjislacionit të partive politike, sepse ndryshim sistemi nuk pritej”.

Krasniqi kritikoi edhe kreun e qeverisë për reagimin e tij të parë ndaj arritjes së marrëveshjes: “Nuk më pëlqeu reagimi i kryeministrit sepse nuk mund të reagojë si analist në studio. Ai ka marrë mirëbesim të opozitës dhe duhet ta përshëndesë këtë mirëbesim, jo të tallet sepse ky është provokim që i bën marrëveshjes së sotme. Duhet të ishte shumë më solemn në komunikimin e parë publik për marrëveshjen”.

Krasniqi e quajti marrëveshjen e sotme si “goditje e demokracisë në zemër në emër të stabilitetit dhe ky ishte suksesi i mbrëmjes së sotme”.

Krasniqi deklaroi gjithashtu se “Shqipëria duhet të ishte tashmë në fazën e maturisë” dhe se “vendi ynë duhet t’i kishte kapërcyer vetë këto probleme”.