Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Reagimet pas marrëveshjes për Reformën Zgjedhore

Nga A2 CNN
5 Qershor 2020, 21:00 | Politikë

Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, deklaroi pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore se palët në Këshillin Politik kontribuan dhe lëshuan shumë për këtë akord.

“Jemi shumë të kënaqur që kemi parë palët politike të arrijnë një marrëveshje, pas shumë orëve dhe diskutimeve të vështira. Çdo palë kontribuoi shumë dhe lëshoi shumë. Këtë e bënë në mënyrë që të fitonte Shqipëria. Disa do ta kritikojnë si jo të mjaftueshëm këtë akord, por duke e parë në kuadër të gjerë, ky është hap përpara dhe diçka që duhet ta mbështesin të gjithë”, tha Kim.

https://a2news.com/2020/06/05/keshilli-politik-a2-zbulon-ceshtjet-e-dakordesuara-mes-paleve-deri-tani/

Bylykbashi dhe Vasili: Rama donte të kapte komisionet zgjedhore, nuk i kapi dot

Përfaqësuesit i opozitës së bashkuar në tryezën e Këshillit Politik thanë pas mbledhjes se Rama nuk kapi dot komisionet zgjedhore.

“Sot u arrit dakordësi për administrimin zgjedhor, identifikim biometrik në masën 100% dhe komision zgjedhor i cili riformatohet tërësisht. Ne propozuam formulë për depolitizimin e komisioneve zgjedhore, por u refuzua nga mazhoranca. Mazhoranca u përpoq të kapte komisionet zgjedhore, por nuk i kapi dot”, tha Oerd Bylykbashi.

Ndërsa Petrit Vasili u shpreh: “Para pak minutash u arrit një dakordësi e qartë për administrimin zgjedhor, e cila përfshin identifikimin biometrik 100%, një KQZ e cila riformatohet tërësisht me një formulë të re. Në mënyrë të qartë propozuam një formulë për depolitizimin e administratës zgjedhore, duke përjashtuar administratën, e cila u refuzua nga Rama dhe PS. Megjithatë komisionet zgjedhore mbeten siç janë, depolitizimi i administratës do kryhet pas këtyre zgjedhjeve. Për të gjithë shqiptarët është e qartë. Rama donte të kapte komisionet zgjedhore, nuk i kapi dot dhe refuzoi depolitizimin”.

Arritja e marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, Basha: Hap përpara për zgjedhje të lira

Kreu i Partisë Demokratik, Lulzim Basha reagoi menjëherë pas arritjes së marrëveshjes në Këshillin Politik për çështjet e mbetura pezull për reformën zgjedhore.

Kryedemokrati e quajti një hap përpara për t’iu mundësuar shqiptarëve zgjedhje të lira dhe për këtë falënderoi dhe aleatët për kontributin e dhënë.

“Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t’jua kthyer qeverisjen shqiptarëve.

Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor”, shkruan Lulzim Basha.

Reforma Zgjedhore, Rama: Mbaroi revolucioni, PD hyn në zgjedhje me kodin që deshi

Kryeministri Rama ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes për reformën zgjedhore përmes një postimi në Twitter.

Kreu i qeverisë shkruan se e rëndësishme tashmë është që Lulzim Basha dhe PD do të hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor që deshën.

Edi Rama nënvizon se tashmë me këtë hap Shqipëria nuk ka më pikëpyetje në prag të datës për hapjen e negociatave.

“Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata.

Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë. ODHIR është dakord që kjo nuk e cenon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave. Ah po, mbaroi edhe revolucioni”, shkruan kryeministri.

Gjiknuri: PD hoqi dorë nga kërkesat absurde

Pas marrëveshjes, Damian Gjiknuri, deklaroi se marrëveshja u arrit pasi “Partia Demokratike hoqi dorë nga kërkesat absurde si qeveria tranzitore”.

“U tregua se administrimi zgjedhor nuk ka çaluar në Shqipëri. Pas shumë diskutimesh, u kthyen në institucionet që ishin, administrata zgjedhore ka funksionuar dhe ka zbatuar rregullat e lojës”, tha Gjiknuri.

“Ne sakrifikuam rekomandimet e ODIHR-it vetëm e vetëm që opozita të hynte në zgjedhje”, shtoi Gjiknuri.

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, Soreca: Shqipëria është më pranë BE

Ambasadori i BE, Luigi Soreca përshëndeti marrëveshjen e arritur në Këshillin Politik për reformën zgjedhore.

Sipas tij, marrëveshje e arritur është në përmbushje të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe shtoi se Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian.

“E kemi mirëpritur marrëveshjen, është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës që nisi në janar. Ishte një marrëveshje e mirë, të mërkurën, pas disa diskutimeve, por ju e dini që opozita e bashkuar kërkoi që të shikonte disa detaje të tjera për depolitizimin e administratës. Kjo është në rekomandimet e OSBE ODIHR dhe ne e mbështesim këtë progres të arritur. Ishte duke u bazuar tek kjo që mazhoranca e pranoi marrëveshjen dhe kjo është ajo që kemi arritur. Në emër të BE dua të them që Shqipëria është më pranë BE sonte, pasi një nga kushtet për të hapur negociatat për anëtarësim do të përmbushet së shpejti. Kjo vjen në moment të mirë pasi javën që vjen KE do të prezantojë kuadrin ligjor për negociatat. Prandaj le të ecim përpara”, tha Soreca.

Edhe ambasadori britanik, Duncan e përshëndeti arritjen e marrëveshjes. Ai tha se palët bënë lëshime për të arritur kompromisin dhe nënvizoi se tashmë është e rëndësishme zbatimi i kësaj reforme.

“Kjo është një ditë e mirë, pas një jave mjaft të gjatë negociatash. Të gjithë hoqën dorë nga diçka dhe marrëveshja u bë e mundur sepse të gjithë kishin dëshirën të arrinin kompromis. Dhe ky është një mesazh i rëndësishëm për politikën shqiptare. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm për negociatat, për zgjedhjet në Shqipëri dhe vetë zgjedhësit. Por është vetëm fillimi që do të thotë thelbi do të jetë tek zbatimi. Por nëse kjo frymë kompromisi do të vazhdojë jam besimplotë për të ardhmen”, tha Duncan.

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, reagon Ambasada Amerikane

Ambasada Amerikane reagoi në Facebook pas arritjes së Reformës Zgjedhore mbrëmjen e së premtes.

“Mirëpresim marrëveshjen ndërpartiake për reformën zgjedhore në Shqipëri, e cila forcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe e çon Shqipërinë përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo marrëveshje është rezultat i orëve të gjata, diskutimeve të ndezura, si dhe vendimeve të vështira nga anëtarët e Këshillit Politik Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasili. Të gjitha palëve iu desh të bënin lëshime në mënyrë që populli shqiptar të mund të përftojë garanci të reja, të tilla si identifikimi elektronik i votuesve, i cili mbron integritetin e kutisë së votimit. Marrëveshja po ashtu ndërmerr hapa për të depolitizuar administrimin zgjedhor në Shqipëri, duke siguruar më shumë transparencë dhe pavarësi më të madhe të personelit të zgjedhjeve”, lexohet në postimin e Ambasadës Amerikane.

Sipas kësaj ambasade, “disa masa depolitizimi do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa disa masa shtesë do të hyjnë në fuqi menjëherë më pas”.

“Së fundi, kjo marrëveshje duhet t’iu japë shqiptarëve më shumë besim në mbikqyrjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet përfshirjes së gjyqtarëve që kanë kaluar vetingun. Kjo piketë e rëndësishme u arrit sepse udhëheqësit e Shqipërisë lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe punuan për të prodhuar një rezultat të prekshëm për popullin shqiptar. Përgëzojmë Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për udhëheqësinë e tyre. Shprehim vlerësim për zërin e rëndësishëm të Presidentit Meta, i cili i nxiti të gjitha palët që të arrinin konsensus. Udhëheqësia e tyre, përkrah asaj të Kryetarit të Kuvendit Ruçi, do të jenë me rëndësi teksa reforma e dakordësuar miratohet nga Kuvendi dhe vihet në zbatim. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i mbështesin fort këto përpjekje. Do të vazhdojmë ta mbështesim fort aspiratën e Shqipërisë për të qenë anëtare e plotë e familjes evropiane”, shton Ambasada Amerikane.

Marrëveshja për Reformën Zgjedhore, Presidenca: Jo e mjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira

Arritja e marrëveshjes në Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ka sjellë dhe reagimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, përmes zëdhënësit të tij

Kreu i Shtetit përshëndeti këtë lajm pozitiv, të cilin e konsideroi jo të mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira.

Ilir Meta nuk harroi pa përshëndetur përfaqësuesit e trupit diplomatik për kontributin e dhënë për arritjen e kësaj marrëveshje.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapoarritur për Reformën Zgjedhore. Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kultura e konsensusit duhet të vazhdojë edhe për kushtet e tjera për të përshpejtuar çeljen e negociatave. Falenderime edhe partnerëve tanë europianë për durimin e tyre! Falenderim të veçantë edhe për SHBA dhe Britaninë e Madhe që mbështesin të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shkruhet në postimin e zëdhënësit të Presidencës.

Komisioneri Varhelyi: Shqipëria, hap të rëndësishëm drejt BE-së

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, reagoi pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Varhelyi shkruan në Twitter se ky është një hap i madh përpara në rrugën evropiane të Shqipërisë.

“Marrëveshja e sotme për Reformën Zgjedhore në Shqipëri është një arritje e madhe. Uroj të gjitha palët që përmes procesit gjithëpërfshirës arritën në këtë pikë. Reforma do të forcojë procesin zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e ODIHR, në dobi të të gjithëve. Shqipëria bëri një hap të rëndësishëm përpara në rrugën e saj evropiane”, shprehet Varhelyi.

Rudina Hajdari: Marrëveshja, pozitive për integrimin, mora garanci për ndryshimin e sistemit

Deputetja demokrate dhe bashkëkryetarja e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Rudina Hajdari e konsideroi një hap shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit, akordin e arritur në Këshillin Politik për Kodin e Ri Zgjedhor.

Hajdari deklaroi se në këtë marrëveshje duheshin përfshirë dhe elementë të tjerë dhe zbuloi se ka marrë garancinë e SHBA dhe BE se bisedimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të vijojnë.

“Sot pati një marrëveshje dhe besoj se efekti pozitiv i saj është hapja e rrugës të Shqipërisë drejt BE. Në mënyrë që kjo të mundësohej duhej arritur një kompromis për gjërat që po bënim. Por ju garantoj që nuk ka qenë një gjë e lehtë. Vërtetë që kjo të quhej një reformë duhet të kishte dhe elementë të tjerë dhe jo vetëm këto që u pasqyruan në këtë draft. Duhej patjetër që të shpreheshim për ndryshimin e sistemit zgjedhor, të cilët nuk patën kompromis për këtë çështje.

Nëse do të isha vetëm unë ajo që do e bllokonte këtë marrëveshje, atëherë do të dukej sikur unë nuk e dua BE. Besoj se ajo që është e dukshme është fakti që opozita parlamentare qëndroi në parlament për t’i shtruar Shqipërisë për të gjitha reformat që të mos ketë ngecje. Në Shqipëri nuk ka vetëm dëmtim të procesit zgjedhor, por edhe të demokracisë. Ne e dimë që mazhoranca e ka kapur pushtetin dhe e trajton si plaçkë.

Unë sot mora garanci më së tepërmi nga ambasadat e SHBA dhe BE se bisedimi për ndryshimin e sistemit do të vazhdojë. Si dhe do të flasim dhe për ligjin e referendumeve dhe votimin e diasporës”, tha Hajdari.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani