Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Ndërhyrjet fiskale, ekspertët: Nisma pozitive, lehtëson sipërmarrjen

Nga A2 CNN
5 Qershor 2020, 17:00 | Ekonomi
Ndërhyrjet fiskale, ekspertët: Nisma pozitive, lehtëson

Qeveria deklaron se nuk do të ketë një paketë të tretë financiare për rimëkëmbjen e ekonomisë pas pandemisë, por në vend të saj kryeministri Edi Rama prezantoi një plan shumëvjeçar, që parashikon edhe ulje taksash për biznesin e vogël.

Ekspertët e ekonomisë e shohin pozitivisht këtë nismë, edhe pse vjen më pak se një vit nga data e zgjedhjeve. Sipas tyre, ajo lehtëson ndjeshëm sipërmarrjen, me kosto minimale në buxhetin e shtetit, teksa janë skeptikë për një eliminim të mundshëm të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, për shkak të impaktit negativ që mund të sjellë në buxhet. 

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha: “Masa do të ketë një impakt të rëndësishëm në shtimin e të ardhurave për familjet që e sigurojnë jetesën me biznesin e vogël”.

Në planin e rimëkëmbjes, ministrja e Financave, Anila Denaj, ka premtuar një vëmendje të veçantë për sektorin e turizmit dhe bujqësisë, si dhe grante për biznesin e vogël e të mesëm. Por, për ekonomistin Adrian Civici, nuk duhen harruar as degët e tjera të ekonomisë: “Duhet riorganizuar ekonomia shqiptare dhe duhet përafruar me tendencat e reja sa i përket digjitalizimit”.

Eksperti Selami Xhepa ndërkohë komenton edhe planin e qeverisë, për të gjeneruar vende pune përmes investimeve publike: “Punët publike mund të zbusin papunësinë, por do të mbetet problem në periudhën afatgjatë për ekonominë”.

Ekspertët vlerësojnë si domosdoshmëri një ristrukturim të tregut të punës përmes kurseve masive si dhe trajnimeve profesionale për të përshtatur fuqinë punëtore me tendencën e re të krijuar nga kriza e koronavirusit. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë