Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Plani i integrimit, përparësitë e qeverisë për tryezën e negociatave

Nga A2 CNN
5 Qershor 2020, 14:43 | Politikë

Qeveria ka hartuar një kalendar të titulluar “Plani i Integrimit”, ku përcakton afatet kohore brenda të cilave mendon të ketë zgjidhur çështjet kryesore që i kërkohen nga Këshilli Europian para se Shqipëria të ulet në tryezën e parë ndërqeveritare të negociatave me Brukselin.

A2 ka parë dokumentin në fjalë, për të cilin burime nga Ministria e Jashtme bënë me dije se i është dërguar edhe institucioneve europiane. Në krye të kalendarit të përparësive është reforma zgjedhore, të cilën Qeveria mendon ta ndajë në dy etapa. Brenda korrikut 2020 është planifikuar të miratohet drafti i Këshillit Politik, përfshirë financimin e fushatave elektorale.

Ndërsa miratimi i ligjit të posaçëm për financimin e partive është planifikuar për në tetor të këtij viti. Kalendari i përparësive vijon me kthimin në funksionim të Gjykatës Kushtetuese. Këtu Qeveria parashikon që brenda korrikut KED të ketë përfunduar procesin e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve për 3 vendet vakante, ndërsa plotësimi i Gjykatës Kushtetuese me 6 anëtarë përfshirë betimin e tyre, pritet të ndodhë në tetor të këtij viti.

Po në tetor parashikohet që Gjykata e Lartë, të plotësohet fillimisht me një minimum prej 6 anëtarësh, për të kaluar në fund të vitit 2020 me 10 anëtarë, gjë që do t’i lejonte kryerjen e të gjitha llojeve të gjykimeve, me përjashtim të atyre nga Kolegjet e Bashkuara.

Do të duhen më pas edhe tre muaj të tjerë që brenda marsit 2021, Gjykata e Lartë të bëhet e plotë me 12 anëtarë, duke dërguar kështu edhe treshen e saj në Gjykatën Kushtetuese. Tetori 2020 është edhe afati brenda të cilit Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të ketë plotësuar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me 15 prokurorë, së bashku me Byronë Kombëtare të Hetimit.

Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të shoqërohet me një plan veprimi për adresimin e krimit financiar. Ndryshimet ligjore e kërkuara kundër pastrimit të parave pritet të prezantohen brenda qershorit, për t’u miratuar në tetor 2020.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani