Taksat vendore, bashkitë, në 100 lekë vetëm 29 shkuan për investime

Publikuar më: 5/6/2020, ora 16:55

Taksat vendore, bashkitë, në 100 lekë vetëm 29 shkuan për investime

Publikuar më: 5/6/2020, ora 16:55

Buxheti i Pushteti vendor është i varur thuajse tërësisht nga dy taksa të vetme: Ajo e ndikimit në infrastrukturë dhe taksa e pronës. E para e lidhur me lejet e ndërtimit dhe e dyta, nga pagesa që bëjnë qytetarët për banesat e tyre dhe bizneset, për ambientet ku ushtrojnë aktivitet.

“Coplan” dhe Ministria e Financave kanë publikuar raportin e financave vendore për vitin 2019. Të dhënat e detajuara tregojnë se 85.5% e totalit të të ardhurave të bashkive vinin pikërisht nga këto dy taksa. Në total, të ardhurat e pushtetit vendor në 2019 shënuan një rritje vjetore prej 5.5%, por është thuajse e pamundur që të përcaktohet nëse kjo rritje ka ardhur nga rritja e taksave apo nga mirë administrimi.

Ndërkaq viti që lamë pas u karakterizua nga dy zhvillime, që kushtëzuan performancën e bashkive: Zgjedhjet vendore të qershorit dhe tërmetet e shtatorit dhe 26 nëntorit.

Të dhënat e financave vendore tregojnë se fatkeqësitë natyrore që ndikuan në ngadalësimin e ekonomisë në vend u reflektuan në më pak të ardhura për buxhetin e bashkive, duke prekur direkt burimet nga të ardhurat e veta vendore, si taksa mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier, taksa e pronës, tarifat vendore etj.

Raporti i financave vendore evidenton gjithashtu, se bashkitë vazhdojnë të kenë borxhe të konsiderueshme, që vlerësohen në 9.4 miliardë lekë, me rritje 1.4 miliardë kundrejt vitit 2018. Të dhënat tregojnë edhe për rritje të nivelit të shpenzimeve nga pushteti vendor.

Por të detajuara, për çdo 100 lek të shpenzuar nga bashkitë, 72 shkojnë për mbulimin e shpenzimeve korrente, që nënkupton paga dhe shpenzimeve të tjera operative dhe vetëm 29 lekë përdoret për investime. Një raport që flet qartë për nivelin e ulët të eficiencës në përdorimin e parave të taksapaguesve shqiptarë nga pushteti vendor.