Vetëm dy ditë pasi mori zyrtarisht detyrën, qeveria e Kosovës ka shfuqizuar disa vendime të Qeverisë Kurti, ku përfshihet edhe vendimi për masat e marra për reciprocitet ndaj Serbisë.
Reciprociteti u vendos nga qeveria Kurti, pas heqjes së tarifës Haradinaj 100% ndaj mallrave serbe, si rezultat i presionit ndërkombëtar, që këmbëngul për kthimin në dialog të Prishtinës dhe Beogradit.
Ashpërsimin e masave të reciprocitetit nga qeveria në detyrë e udhëhequr nga Albin Kurti e kishte kundërshtuar edhe presidenti i vendit Hashim Thaçi, ndërsa i zhgënjyer me vendimin ishte deklaruar edhe përfaqësuesi special i BE-së Miroslav Lajcak.
Më 31 mars, Kurti kishte marrë vendim për heqjen e taksës 100% për mallrat serbe dhe vendosjen e dy masave tregtare të reciprocitetit. Ndërsa, në fillim të kësaj jave ka ashpërsuar masat e reciprociteti, ku çdo maunë që hynë në Kosovë duhet të ketë të shkruar në dokumente “Republika e Kosovës”.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në nëntor të vitit 2018 kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.