Kërkon “pavarësi” nga Rusia, mbërrin nafta amerikane në Bjellorusi

lukashenko putin 1100x620

Një anije me naftë amerikane e destinuar për në Bjellorusi mbërriti të premten në Lituani. I cilësuar si shteti i fundit komunist në Europë, Bjellorusia po përpiqet të minimizojë varësinë nga Rusia, pas një sherri me shtetin fqinj për çmimin e naftës.

Edhe pse sherri përfundoi, Bjellorusia tha se donte t’i bënte ballë dominimit të tregut nga Rusia dhe të gjente burime alternative për importimin e naftës. Marrëveshja për dërgesën e parë u raportua që më 15 maj nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Këtë vit, Bjellorusia ka importuar naftë edhe nga Norvegjia, Arabia Saudite, Azerbajxhani, por edhe Rusia. Dërgesa amerikane përmban 80 mijë ton naftë, por sipas Ministrisë së Energjetikës ka pak gjasa që importimi nga SHBA të bëhet rregullisht.

Sidoqoftë, ndërtimi i tubacioneve mes rafinerisë bjelloruse dhe fushave ruse të naftës e bën naftën ruse më të lirën e mundshme. Presidenti Alexander Lukashenko, i cili njihet për marrëdhëniet e mira me homologun rus Vladimir Putin, vendosi në 1 janar që të minimizonte importet e naftës ruse në 30-40% të importeve totale.

Por ekspertë europianë thanë për Reuters se importimi i naftës amerikane nuk ka kuptim nga ana ekonomike dhe nuk do të zgjasë.