Stojku: Reforma Zgjedhore, pazar i radhës. Nuk do ta votojmë në Parlament

Edmond Stojku, përfaqësues i grupit Demokraci dhe Drejtësi në opozitën parlamentare, deklaroi në “Dita jonë” në A2 se marrëveshja për Reformën Zgjedhore, e arritur disa ditë më parë, ishte thjesht “pazari i radhës”.

“Reforma Zgjedhore nuk është arritur, është thjesht një pazar i radhës. Në takimin që patëm me Yuri Kim dhe Luigi Soreca bëmë me dije se opozita parlamentare nuk ishte e përfaqësuar në Komitetin Politik. Përveç grupit demokrat që dërgoi përfaqësuesin (Rudina Hajdari), janë edhe dy grupe të tjera parlamentare që janë të interesuara për ndryshimin e sistemit, listat e hapura dhe për të gjithë elementët që përbëjnë thelbin e reformës. Ne jemi aktorë të miratimit të Reformës Zgjedhore. Si mundemi të votojmë diçka për të cilën nuk na kanë pyetur dhe as nuk kishin ndërmend të na pyesnin? Jemi 39 deputetë që duam Reformë Zgjedhore të vërtetë”, u shpreh Stojku.

Kur u pyet nëse do të ketë rrjedhje votash në Parlament në mënyrë që të arrihet kuota e nevojshme për votimin e Reformës Zgjedhore, Stojku tha: “Nëse do të ketë trafikim, dhunim, kërcënim ose blerje vote për të plotësuar edhe 7 votat që i duhen mazhorancës për të plotësuar 84 votat, atëherë turpi për këtë mazhorancë do të jetë i përjetshëm dhe nuk e di se çfarë besimi do të ketë publiku në reformën e tyre, kur ata do ta nisin trafikimin e votës që nga Parlamenti”.