Operohet Roger Federer, do të kthehet vitin tjetër

federer 600x338

Sezoni i tenisit është pezull, si shumë aktivitete në mbarë botën, por nëse gjatë javëve në vijim edhe ky sport do të marrë dritën jeshile, atëherë do të humbasë një nga legjendat e tij.

Roger Federer i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe i ka dhënë fund turneve për vitin 2020. Tenisti zvicerian është operuar në gjurin e djathtë dhe, sikurse ka njoftuar në rrjetet sociale, ai do të kthehet në muajt e parë të vitit 2021.

“Disa javë më parë pata një shqetësim gjatë periudhës sime të rehabilitimit”, shkruan Federer në Twitter.

“Mu desh të kryeja një tjetër ndërhyrje të shpejtë. Tani, ashtu siç kam bërë në fundin e vitit 2017, kam në plan të marrë të gjithë kohën e duhur për t’u kthyer në 100% të formës dhe të luaj ende në nivele të larta”, shtoi Federer.

Tenisi mund të rinisë prej 17 gushtit me turneun e Sinsinatit. Hera e fundit që Roger Federer u shfaq në fushë ishte “Grand Slam”-i i Australian Open, ku zvicerani u eleminua në fazën gjysmëfinale. Për ta parë kampionin e tenisit sërish duke u ndeshur, duhet pritur viti i ardhshëm dhe atëherë Roger Federer do të ketë mbushur plot 40 vjeç.