Tabaku për Eurobondin: Çdo borxh që ka marrë, kjo qeveri e ka keqpërdorur

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se lajmi për Eurobondin është një lajm i keq për vendin.

“Nuk besoj se ka vend në botë që gëzohet se po rrit borxhin. Nëse do të kishim plan konkret për përdorimin e këtij borxhi, një plan investimesh që do të kishin një kthim në ekonomi, sigurisht që opozita do ta përshëndeste këtë borxh si mundësi për daljen nga kriza. Kryeministri gënjeu kur bëri krahasim me rajonin dhe tha se kemi marrë borxh më të lirë sesa vendet e tjera. Serbia e ka marrë më lirë, ndërsa Maqedonia e Veriut me një afat më të shkurtër se ne. Lajmi i keq është që borxhit shqiptar i shtohen 650 milionë euro, prej të cilave 200 milionë shkojnë për detyrimet e borxhit të kaluar, ndërsa 450 milionë për Buxhetin e Shtetit”, shpjegoi Tabaku.

“Kjo qeveri, çdo taksë dhe borxh që ka marrë, e ka keqpërdorur. Me një rritje të tillë taksash që ka pasur vitet e fundit, nuk kishte nevojë fare për borxh. Buxheti është i lodhur sepse të ardhurat po bien dhe borxhi është rritur, pa përfshirë këtu koncesionet. Çfarëdo mase që të merret, qeveria nuk e nxjerr dot ekonominë nga kriza ku e ka futur. Marrja e këtij borxhi shton një barrë të re për qytetarët”, shtoi Tabaku.

Sipas saj, Partia Demokratike ka planin e duhur për rigjallërimin e ekonomisë.

“Sot po mbyllen përditë bizneset dhe nuk kemi përgjigje nga qeveria. Po largohen përditë njerëz dhe nuk kemi përgjigje nga qeveria. PD-ja ka përgjigje për këto dhe ka një plan që po e diskuton me grupet e interesit”, tha Tabaku.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Tabaku u shpreh: “Është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë qenë shumë të qartë: dakordësia është vetëm fillimi, pasi reforma duhet të zbatohet në praktikë. Ka dhe 14 kushte të tjera, si hetimi i korrupsionit në nivele të larta, funksionimi i SPAK-ut, lufta ndaj krimit të organizuar e shumë të tjera”.