Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Tenisti që humb gjithmonë: Një fitore të vetme dhe shkoi në pension, pas 40 vitesh

Nga A2 CNN
10 Qershor 2020, 11:48 | Sporte të tjera

Ndoshta është tenisti profesionist më i keq i historisë, por pak si ai kanë pasur nderin e një faqeje të plotë të prestigjiozes Wall Street Journal, që zakonisht merret me lëvizjet e indekseve financiare, dhe jo të atyre brenda një fushe të blertë.

Por historia e 47-vjeçarit italian Enrico Becuzzi është vërtetë e veçantë, dhe më shumë se për interesin sportiv, dëshmon sakrificën që pranon të bëjë një sportdashës i vërtetë.

Enrico ka pothuajse 40 vjet karrierë, mund të ketë fituar rreth 10 ndeshje në total, por asnjëherë në cirkuitin profesionist të ATP, që jep pikët e vlefshme për renditjen botërore.  

Sportisti ka tentuar gjithmonë, i shtyrë dhe nga fitoret e miteve të tij të rinisë, që ishin Lendl, Wilander, McEnroe, por më kot. Humbje dhe vetëm humbje, në çdo cep të botës, dhe për një lojtar që ka fituar gjithsej, diku te 10 mijë euro në karrierë, i ka kushtuar shumë edhe nga pikëpamja ekonomike, por megjithatë nuk i ka zbehur entuziazmin  e dikurshëm.

Shumë turne, asnjë fitore në ATP

Asnjë tenist profesionist nuk ka frikë të ndeshet me të, por të gjithë e njohin dhe e respektojnë, italianin nga Pisa. “Në rrjetet sociale di që shumë tallen me mua, por nuk e vë re. Gjithsesi nuk shkoj shpesh në Internet, dhe më mjafton që të ketë respekt”, thotë italiani, jo pa autoironi.

Nuk ka pasur as fat. “U kualifikova për Master 100 në Shangai, por nuk më dhanë vizën në kohë. Mund të luaja me Federer, Djokovic e kështu me rradhë. Mbeta keq”, thotë italiani nga Piza.

Objektivi i tij është i qartë, edhe pse ndoshta i parealizueshëm në moshën e tij. “Një fitore. Një fitore të vetme në një turne ATP, një pikë të vetme në renditje. Dhe shkoj në pension”, thotë tenisti që ndoshta nuk do të fitojë kurrë ndeshje, por ka fituar me siguri simpatinë e shumë sportdashësve.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu