Zbardhet amnistia fiskale, falen pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit

Publikuar më: 10/6/2020, ora 13:31

Zbardhet amnistia fiskale, falen pasuritë e fshehura brenda dhe jashtë vendit

Publikuar më: 10/6/2020, ora 13:31

Amnistia fiskale e qeverisë do të falë efektet ligjore të fshehjes së tyre për të gjitha pasuritë e luajtshme apo të paluajtshme të individëve apo kompanive që do të bëjnë deklarimin vullnetar të tyre.

Sipas draftit të zbardhur të Ministrisë së Financave, pasuritë brenda apo jashtë vendit që do të mund të deklarohen përfshijnë pronat, paratë, arin, gurët e çmuar, veprat e artit e deri te monedhat digjitale dhe letrat me vlerë.

Për të nxitur këtë proces, subjektet përfituese do të tatohen me 5% të shumës totale të deklaruar nëse e bëjnë aplikimin brenda katër muajve të parë të hyrjes në fuqi të ligjit. Më pas kjo shkallë tatimi rritet në 7% për katër muajt e dytë dhe në 10% për katër muajt e tretë. Po ashtu do të ndërpritet çdo proces gjyqësor apo gjobat dhe kamat e lidhura me këto pasuri.

Çdo e dhënë që do të jepet nga përfituesit do të jetë subjekt i ruajtjes së sekretit dhe do të ndiqet si procedurë nga Njësia Speciale për Mbikëqyrjen e Deklarimit Vullnetar të Pasurive, një strukturë e re që krijohet posaçërisht pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Nga kjo amnisti nuk do të mund të përfitojnë të zgjedhurit vendorë, ish-funksionarët dhe familjarët e tyre. Po ashtu përjashtohen subjektet e ligjit të krimit të organizuar, pastrimit të parave apo personat e shpallur në kërkim për terrorizëm apo financimin e terrorizmit.