Koronavirusi, menaxherja e zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri: Tri probleme që duan zgjidhje

Intervista e Menaxheres së Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim në A2 Business.

Sa do të goditet ekonomia shqiptare nga COVID 19?

Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore “Perspektiva ekonomike globale”, goditja nga pandemia e koronavirusit pritet ta tkurrë ekonominë botërore me 5,2%. Shqipëria nuk përbën përjashtim, në këtë aspekt. Sipas skenarit bazë të Bankës Botërore, ekonomia shqiptare ka të ngjarë të zvogëlohet me 5%. Lajmi i mirë është se në periudhën afatshkurtër, rritja pritet ta rimarrë veten fuqishëm, teksa veprimtaria ekonomike i kthehet normalitetit gradualisht. Por, si rrallë ndonjëherë, ka një pasiguri të lartë lidhur me parashikimet ekonomike të kësaj periudhe. Banka Botërore do të vijojë të jetë një partner i fuqishëm dhe do ta mbështesë Shqipërinë në çdo hap.

Si do t’i vlerësonit dy paketat financiare që janë deri më tani në zbatim?

Duke pasur parasysh ngrirjen ekonomike, me rëndësi thelbësore janë masat e politikës ekonomike për të ruajtur vendet e punës dhe për t’u dhënë mbështetje personave në nevojë. Siç e thashë më parë Qeveria shqiptare e kuptoi këtë që në fillim të krizës dhe miratoi e zbatoi menjëherë paketat e politikave ekonomike. Këto masa kanë ndihmuar në amortizimin e disa humbjeve të sektorit privat, përmirësimin e likuiditetit të bizneseve dhe mbështetjen e familjeve të prekura. Megjithatë, duke qenë se nuk dihet se sa do të zgjasë kjo krizë, politikëbërësit kudo përballen me të njëjtën dilemë: përdorimi i të gjithë hapësirës buxhetore për të zbutur efektin imediat mund të sjellë efekte të padëshiruara nëse kriza zgjat më shumë. Prandaj, kundërpërgjigjet e politikave do të duhej të ishin të kalibruara për të zbutur pasojat e menjëhershme, por edhe për t’iu përshtatur realiteteve të reja që mund të lindin, dhe për të lënë hapësirë për ta përgatitur ekonominë për rimëkëmbje.

Ndryshe nga vendet e tjera që kanë dhënë fonde direkte për biznesin dhe qytetarët për të nxitur konsumin, në dy paketat e qeverisë shqiptare ndihma për biznesin ka qenë kryesisht garancia sovrane. Si do ta vlerësonit këtë instrument?

Skemat e garantimit të kredive janë një formë gjithnjë e më e përdorur e ndërhyrjes shtetërore në mbështetje të bizneseve për të marrë financim. Në mbarë botën, më shumë se një e dyta e vendeve kanë skema të garantimit të kredive, dhe numri i tyre po rritet. Këto skema dalin në pah si një kundërpërgjigje e politikave në mbarë botën në mbështetje të nevojave për financim të bizneseve në kuadër të krizës së COVID-19. Po kështu, qeveria shqiptare ka prezantuar dy programe me grup përfitues dhe afat të përcaktuar për të garantuar kreditimin në këtë situatë të jashtëzakonshme në mbështetje të ndërmarrjeve të prekura nga kriza. Në të ardhmen, autoriteteve shqiptare u sugjerohet të mendojnë transformimin e programeve ekzistuese në skema të rregullta publike të garantimit të kredive, me struktura adekuate të drejtimit të brendshëm dhe të administrimit të risqeve, për të ndihmuar në vënien në lëvizje të rimëkëmbjes ekonomike. E fundit, është me rëndësi të mos harrohet se skemat e garantimit të kredive janë vetëm një prej instrumenteve, prandaj do të duhej të bënin pjesë në një kundërpërgjigje të integruar dhe të gjithanshme të politikave për të ndihmuar bizneset të marrin financim.

Ndryshe nga vendet e tjera që kanë paketa stimuluese afatshkurtra për konsumin dhe bizneset, qeveria shqiptare ka parashikuar një plan afatgjatë. A do të bëjë kjo që edhe kapërcimi I krizës të kërkojë më shumë kohë?

Gjatë masave të bllokimit, masat e politikës ekonomike për të ruajtur vendet e punës dhe për t’u dhënë mbështetje personave në nevojë kanë qenë të domosdoshme. Shqipëria e ka kuptuar këtë që në fillim të krizës dhe e ka miratuar me shpejtësi paketën e parë dhe të dytë të politikës ekonomike. Qeveria ka njoftuar se planifikon të zbatojë një plan afatmesëm rimëkëmbjeje, të quajtur “Shqipëria 2030”. Në përgjithësi, kjo është një qasje e mirë për hartimin e një vizioni koherent se si të rigjallërohet ekonomia. Por po aq të rëndësishme janë edhe detajet, cilat do te jene masat që do te propozohen, sikurse edhe sa mirë e sa shpejt do të zbatohen.

Për shkak të krizës ekonomike të COVID, përpos ristrukturimit të kredive, sa mund të rritet niveli i kredive me probleme?

Mund të pritet një rritje e nivelit të kredive të këqija, po të kemi parasysh pasojat negative të krizës COVID-19 në flukset monetare dhe situatën financiare të bizneseve. Por është tepër herët për të bërë një vlerësim të ndikimeve me saktësi, sidomos duke pasur parasysh moratoriumin e vendosur nga Banka e Shqipërisë mbi shlyerjen e kredive. Megjithatë, duhet theksuar se autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë këto vitet e fundit masa të rëndësishme për ta fuqizuar kuadrin ligjor dhe rregullator lidhur me kreditë e këqija. Ato jo vetëm e kanë ulur stokun e kredive të këqija nga niveli më i lartë prej 25% në vitin 2014 në 8,3% në janar 2020, por ato shërbejnë edhe si një paketë instrumentesh për të penguar krijimin e kredive të reja të këqija.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, kriza e COVID 19 do të nxjerrë të papunë 142 mijë persona. Një pjesë e tyre do të fitohen pas hapjes së ekonomisë. Por si mund të trajtohet pjesa e papunësisë afatgjatë që ka shkaktuar kjo situatë?

Vërtet, ajo që shpresojmë tani është që shumë njerëz të mund të kthehen në vendet e mëparshme të punës, me rifillimin e veprimtarisë ekonomike. Por disa mund të gjenden përballë faktit se punëdhënësit e tyre kanë mbetur pa punë apo janë të detyruar ta zvogëlojnë aktivitetin. Në këto raste, punonjësit do të duhet të gjejnë një punë tjetër. Kjo do të thotë se u duhet dhënë zgjidhje tri problemeve:

– Së pari, ekonomia e Shqipërisë duhet të krijojë vende të reja pune. Qeveria mund të ndihmojë duke e lehtësuar të bërit biznes në Shqipëri. Për të kapërcyer problemet e tregjeve, bizneset mund të ndihmohen me masa inteligjente mbështetëse.

– Së dyti, punonjësit mund të jenë të detyruar të gjejnë mundësi punësimi në sektorë të rinj. Këtu qeveria mund të ndihmojë nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit, duke ndihmuar të përputhen kërkesat e të papunëve me vendet e reja të punës.

– Së treti, për aq sa punonjësit do të duhet të kalojnë në sektorë të rinj, do të duhet të investojnë në mësimin e aftësive të reja. Edhe këtu qeveria luan rol dhe mund të ofrojë mundësi trajnimi për ta lehtësuar këtë kalim nga një sektor në një tjetër.

Por nuk ka zgjidhje magjike. Rimëkëmbja e plotë e tregut të punës do të kërkojë kohë.

Çfarë duhet të parashikojë qeveria shqiptare në planin e rimëkëmbjes?

Me daljen nga masat e bllokimit, ka shumë rëndësi që Shqipëria të ecë gradualisht drejt një modeli të shëndetit publik qe ndihmon në parandalimin e  rasteve te reja me COVID, por që edhe lejon rifillimin e jetës ekonomike, respektuar kërkesat për distancimin fizik. Duhet të vijojë puna për rindërtimin lidhur me pasojat e tërmetit, i cili mund t’i japë nxitje rimëkëmbjes. Masat që do të mundësojnë turizmin këtë verë mund të sigurojnë që sezoni i këtij viti të mos humbet plotësisht në Shqipëri. Instrumentet financiare, siç janë skemat e garantimit të kredive, mund të zhbllokojnë mundësitë për kreditim, të cilat do t’u japin mundësi bizneseve të rivihen në lëvizje gjatë muajve të ardhshëm. Ndërkohë që rimëkëmbja do ta shpejtojë ritmin, Shqipëria duhet të ecë përpara me reformat strukturore ku përfshihet fuqizimi i shtetit ligjor, sigurimi i qëndrueshmërisë makrofiskale, përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe përmirësimi i shërbimeve publike për të rritur kapitalin njerëzor.

Kur pritet që ekonomia shqiptare të kthehet në normalitet?

Më lejoni të theksoj fillimisht edhe një herë se parashikimi ekonomik përmban edhe një pasiguri veçanërisht të lartë gjatë kësaj periudhe. Një pjesë e madhe do të varet nga rrjedha e pandemisë, nga shpejtësia me të cilën do të mund të lehtësohen kufizimet e vendosura për shëndetin publik dhe nga shkalla me të cilën do të mund të normalizohet jeta ekonomike. Në skenarin tonë bazë, presim që rimëkëmbja të fillojë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2020 dhe të vijojë në vitin 2021. Vijimi i masave kufizuese të shëndetit publik, si edhe kërkesat nga klientët dhe punonjësit për vijim të mbajtjes së distancës fizike, do të kërkojnë që shumë biznese të kenë pengesa dhe të duhet të gjejnë mënyra të reja për ushtruar aktivitet. Pra, edhe pse heqja e shumicës së masave kufizuese të shëndetit publik do të t’i japin një shtytje të menjëhershme të ekonomisë, rimëkëmbja do të dojë kohë.