Mediat italiane: Schumacher do t’i nënshtrohet operacionit eksperimental

schumacher 1100x620

Michael Schumacher do të operohet nga një kirurg me famë botërore, në një përpjekje për të rigjeneruar sistemin e tij nervor. Sipas revistës italiane “Contro Copertina”, operacioni do të realizohet nga kardiologu francez, Dr Philippe Menasche.

Qelizat e dëmtuara të 51-vjeçarit do të zëvendësohen me të reja, më të shëndetshme, në një operacion që është pjesërisht eksperimental. Menasche njihet si pionier i mjekësisë dhe shtatorin e kaluar ka kryer një tjetër operacion te Schumi. Më parë ai ka kryer operacione me qeliza staminale ndaj personave të tjerë, që kanë rezultuar të suksesshme dhe të sigurt.

7-herë kampioni i botës pësoi një dëmtim të tmerrshëm në ski në vitin 2013 dhe pasi qëndroi 6 muaj në koma, u zgjua, por që prej atëherë nuk është publikuar as edhe një foto ose video e gjendjes së tij. Momentalisht raportohet se gjermani ka humbur masë të shumtë muskulare, për shkak se ka qëndruar i shtrirë ose pa lëvizur për vite me radhë.

Vitin e kaluar, Jean Todt, ish-menaxheri i Ferrari-t në kohën kur garonte Schumacher, tha se ai po bënte përparime dhe se mundej të shihte garat e Formula 1 në televizor.