Faljet ndër vite, amnistia fiskale, një histori e vjetër në Shqipëri
Kur dëgjon për fjalën amnisti, më së shumti na vijnë në mend faljet për të dënuarit, por kjo formë e ligjshme harrese aplikohet në shumë fusha. Ashtu si amnistia fiskale që qeveria synon të kalojë së shpejti në parlament, Shqipëria ka kaluar shumë të tilla. Nga falja e taksave të automjeteve, te fshirja e kamatëvonesave të faturave të energjisë elektrike.
Por kur flasim për amnisti të përgjithshme të kapitalit, pra para dhe çdo formë tjetër e pasurive të luajtshme apo të paluajtshme, nisma e parë daton qysh në vitin 1999.
Ideja asokohe u hodh nga presidenti Rexhep Mejdani dhe u mbështet në parim nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani. Por politika nuk arriti një dakordësi dhe amnistia mbeti vetëm në letër.
Në vitin 2011, do të ishte kryeministri Sali Berisha që do të zbatonte një formë të amnistisë fiskale, që konsistoi në rivlerësimin e pasurive të patundshme kundrejt një tarife prej 2% dhe faljen e borxhit tatimor dhe doganor, si dhe penaliteteve përkatëse, nëse paguaje një pjesë të principalit. Në vitin 2015, kur në pushtet ishin socialistët, Ministria e Financave, e drejtuar nga Shkëlqim Cani do të zbatonte një falje fiskale, që konsistonte në deklarimin e mallrave pa faturë kundrejt faljes së penalitetit. Tashmë amnistia rikthehet në një formë tjetër.
Nga amnistia fiskale që diskutohet sot nuk mund të përfitojë asnjë politikan i zgjedhur, funksionar shteti, gjyqtar, prokuror apo familjarë të tyre. Po ashtu përjashtohen paratë e krimit të organizuar, narkotrafikut dhe personat e dyshuar për lidhje me terrorizmin? Po atëherë kujt i drejtohet kjo amnisti?
Puna në të zezë është subjekti kryesor i amnistisë, në një vend ku ekonomia informale llogaritet nga institucionet ndërkombëtare midis 30-65% të peshës së GDP-së. Përfituesit kryesorë synohet të jenë emigrantët që ndër vite kanë siguruar të ardhura nga punë të ndryshme të padeklaruar. Por edhe në vend, personat e punësuar që rroga nuk u deklarohet, si dhe vetë kompanitë që prej vitesh funksionojnë me disa bilance.
Krahas tatimit 5-10% që shteti do të mbledhë nga vlera e pasurive të deklaruara, efekti kryesor i pritshëm në rast se aplikohet në mënyrë të drejtë është çlirimi i një kapitali të madh që prej vitesh qëndron i mbyllur. Një kapital që i shërben shumë ekonomisë në një periudhë krize, si kjo e shkaktuar Covid-19. Por nga ana tjetër, ekziston edhe rreziku që procesi të kthehet në një ligjërues të parave të pista, që mund të sjellin më shumë dëme se sa përfitime.