Kryetarja e Komitetit Teknik Të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në një komunikim për mediat bëri të ditur se pavarësisht shifrave, situata e pandemisë në vendin tonë është nën kontroll dhe për këtë arsye nuk do të ketë kthim te karantina, por theksoi se do të shtyhet me një javë hapja e transportit publik, i cili ishte parashikuar të rikthehej këtë të hënë.
“Është bërë mbledhja e komitetit të ekspertëve. Është vlerësuar se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës dhe moszbatimit të rregullave. Gjithsesi, komiteti teknik vlerëson se situate është krejtësisht e kontrolluar. Kemi vendosur të mos ketë kthim mbrapa sa i përket karantinimit. Gjithsesi, kemi vendosur të shtyhet për një javë hapja e transportit publik”, u shpreh Rakacolli.
Deklarata e plotë e kryetares së Komitetit Teknik Të Ekspertëve
Siç jeni në dijeni, javën e fundit ka patur rritje të numrit të të infektuarve në vend dhe për të analizuar situatën epidemiologjike është mbledhur sot Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Ne vlerësojmë se kjo rritje e numrit ka ardhur si pasojë e uljes së vigjilencës, shkujdesjes dhe mos respektimit të rregullave të distancimit fizik në aktivitetet e jetës së përditshme.
Gjithsesi, pas shqyrtimit të të gjithë treguesve në rastet e reja ditore, situatën në spitale dhe pacientët në terapi intensive, Komiteti Teknik vlerëson se situata mbetet e kontrolluar.
Sa më sipër, kemi vendosur të mos ketë hapa prapa në strategjinë e rihapjes, por për më shumë siguri, në kushtet aktuale, kemi vendosur të shtyhet për të paktën një javë hapja e transportit publik, si një shërbim me risk të lartë në këtë situatë epidemiologjike.
Ecja përpara është në dorën tonë, ndaj nuk mundet të sfidojmë rregullat, duhet vetëm ti zbatojmë ato, të ruajmë njëri-tjetrin, të moshuarit, të ruajmë distancimin fizik, higjienën personale, të përdorim maskat apo barrierat mbrojtëse në vendet e mbyllura, aty ku nuk mund të sigurohet distancimi fizik si dhe një apel për të gjithë aktivitetet e biznesit, të zbatojnë protokollet sipas nivelit të riskut.
Ne do të vijojmë monitorimin e situatës, dhe gjithashtu do vijojmë punën intesivisht nëpërmjet inspektorëve të Task-Forcës kundër COVID-19, për të siguruar zbatimin e plotë të rregullave dhe protokolleve të sigurisë, por nevojitet akoma me shumë përgjegjësi për të mirën e përbashkët. Të vijojmë të kemi të njëjtën përgjegjësi si në fazën e parë, në mënyrë që edhe këtë fazë, ta kalojmë po me aq sukses. (A2 Televizion)