Macron i drejtohet francezëve: Nuk e fshijmë historinë tonë, një betejë e drejtë nuk tradhtohet nga urrejtja

macron 1100x620

Nuk fliste prej javësh presidenti francez Emanuel Macron, që para valës së protestave antiraciste që kanë shpërthyer fillimisht në SHBA, dhe më pas në Europë, duke përfshirë një vend si Franca ku komuniteti me origjinë afrikane është i shumtë, ashtu si dhe çështjet e errëta të kolonizimit francez në atë kontinent.

Por sot Macron vendosi t’u flasë francezëve përmes një mesazhi të gjatë në lidhje të drejtpërdrejtë, ku bëri të qartë se episode si ato në SHBA, Britani të Madhe dhe Belgjikë, ku statuja të personazheve historike të diskutuara për racizëm u rrëzuan nga mbështetës të lëvizjes Black Lives Matter.

“Nuk do të fshijmë asnjë emër të historisë sonë, nuk do të rrëzojmë statuja. Një betejë nobël nuk mund të tradhtohet nga një rishikim plot urrejtje për të kaluarën tonë”, deklaroi Macron.

Edhe pse lideri francez saktësoi se nuk do të ketë asnjë tolerim për racizmin, antisemitizmin dhe diskriminimet  e tjera, ai ishte i prerë kur nënvizoi se “e ardhmja  e Francës nuk mund të ndërtohet mbi rrëmujën”.

Macron bëri sërish një bilanc për masat kundër pandemisë, ku edhe pse nënvizoi se “virusi nuk është mundur”, njoftoi rikthimin me detyrim në shkolla nga 22 qershori, dhe heqjen e masave shtrënguese në Paris, ku restorantet dhe lokalet nuk mund të pranonin klientë në ambiente të mbyllura.

Vendi ka paguar rreth 500 miliardë euro për të përballuar krizën ekonomike, duke paguar rreth 12 milionë të papunë, “si në asnjë vend tjetër europian”, dhe presidenti premtoi se taksat nuk do të rriten dhe do të synohet “një model ekonomik i qëndrueshëm”, të fokusuar tek të rinjtë dhe më të varfrit.

Por presidenti francez dha edhe linjat e politikës së jashtme franceze, që sipas tij duhet të shkojnë drejt një faze “ku mund të kontrollojmë të ardhmen tonë në Europë, e cila duhet të jetë më solidare dhe e pavarur nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.