Takimi me Lajçak, Thaçi: Dialogu të përfundojë me njohje reciproke

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë arriti në Prishtinë për të konfirmuar rolin udhëheqës të Brukselit në këtë proces.

Miroslav Lajçak u prit fillimisht nga presidenti, Hashim Thaçi, takim i cili duket se nuk ka qenë dhe aq i lehtë, duke marrë shkas nga përplasjet në distancë të ditëve të kaluara. Ata mbajtën dhe një konferencë për shtyp, ku kreu i shtetit të Kosovës kritikoi Bashkimin Europian duke theksuar se është vonuar shumë në disa çështje dhe kërkoi që dialogu të përfundojë me njohje reciproke.

“Çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve që nënkupton paqe e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është e mirëseardhur. E konfirmova pozicionin zyrtar të shtetit të Kosovës, ky proces duhet të fillojë me liberalizimin e vizave, dhe duhet të përmbyllet me njohje reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi përsëriti konfirmimin për pjesëmarrjen e Kosovës në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë dhe shtoi se është me rëndësi jetike që SHBA dhe BE të kenë koordinim. Të njëjtën gjë pohoi dhe Lajçak, por kërkoi që bisedimet Prishtinë-Beograd të rinisin në Bruksel.

Një koment pati edhe për takimin e Uashingtonit. “Nuk e di a do të marrë pjesë në takimin në Uashington. Gjithçka që është arritur në dialog është rezultat i punës së përbashkët dhe të ngushtë mes SHBA-së dhe BE-së”, tha ai në konferencën për shtyp.

Zyrtari i BE-së u takua dhe me kryetaren e kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Avdullah Hoti. Gjithashtu do të zhvillojë një vizitë zyrtare edhe në Serbi. Arsyeja e këtyre takimeve është që të caktohet një datë për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Brukselit.

BE kërkon që të rimarrë në dorë drejtimin e bisedimeve, të cilat kohëve të fundit janë udhëhequr nga SHBA. Zyra e shefit të diplomacisë europiane, Josef Borrel, bëri të qartë se çdo marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve duhet të kalojë përmes procesit të udhëhequr nga BE-ja.