
Vendimi për letërsinë/ Hiqen disa pyetje të vështira, kalueshmëria pas rezultateve
Pas reagimeve të shumta për testin e Gjuhës shqipe dhe Letërsisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) vendosi të heqë nga vlerësimi pyetje specifike që rezultojnë më të vështira se sa njohuritë e maturantëve.
Me përfundimin e korrigjimit, do të bëhet shpërndarja e pikëve në bazë të rezultateve të nxënësve. Në këtë përfundim kanë dalë specialistët e Ministrisë së Arsimit gjatë një diskutimi për këtë çështje, edhe me mësues të lëndës nga rrethe të ndryshme të vendit.
Në njoftimin zyrtar thuhet se teza e Gjuhës dhe Letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues dhe nuk ka gabime shkencore. Në lidhje me pretendimet e maturantëve për gabime drejtshkrimore, specialistët bëjnë të ditur se ato janë vendosur qëllimisht në një tekst për t’u korrigjuar nga nxënësit, dhe kjo u bëhej e ditur përmes një kërkese sqaruese.
Ndërsa për natyrën e testit, hartuesit thonë se maturantët ishin njohur më herët përmes paraprovimit që zhvilluan në shkollë.