Hakmarrje dhe rekorde, Juventus dhe Napoli kërkojnë kupën

sarri gattuso 1100x620

Janë sërish Napoli-Juventus, dy skuadrat që do të luftojnë për trofeun e Kupës së Italisë, njësoj si tetë vite më parë, kohë kur triumfonin të kaltrit. Juventus vihet përballë ish-skuadrës së Maurizio Sarrit, pasi eliminoi me dy barazime Milanin në gjysmëfinale.

“Me nervozojnë shumë kur dëgjoj që në Itali nuk kam fituar asgjë”- u shpreh tekniku 61-vjeçar në konferencën përpara ndeshjes. Të gjithë harrojnë që rezultatet e mia me Juventusin, janë më të mirat në 50 vitet e fundit për një trajner debutues. Grinta dhe dëshira për të ngritur Kupën është e njëjtë edhe për skuadrën e Gennaro Gattuso-s, që eliminoi Interin për t’u ngjitur në finale.

Në aspektin teknik, Juventus pritet të zbresë në fushë me të njëjtin sulm sikurse ndaj Milan. Khedira do të ketë një vend në formacion, ndërkohë që kthehet si titullar në të djathtë të mbrojtjes Juan Cuadrado.

Në kampin tjetër, Mario Rui duket i avantazhuar për 11-shen startuese kundrejt kapitenit të kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Formacioni i Gatusos pritet të ketë ndryshime nga ai që u rreshtua përballë Interit.

Finalja e këtij edicioni mund të sjellë edhe rekorde për dy legjenda të Zonjës Vjetër. Në rast suksesi, portieri Gigi Buffon do të arrijnë në 6 Kupa Italie duke barazuar rekordin e trajnerit të kombëtares axurre, Roberto Mancini. Për Cristiano Ronaldo-n, Kupa e Italisë është trofeu i vetëm që i mungon vitrinës së arritjeve me klubet që ka luajtur në 3 nga kampionatet kryesore europiane.