Shtimi i rasteve në Kosovë, qeveria prezanton masat e reja për ambientet e punës

Vala e re e përhapjes së koronavirusit ka vënë në lëvizje qeverinë e Kosovës. Për ta frenuar këtë, është miratuar vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë që të gjitha institucionet publike dhe private të riorganizojnë punën me stafin e tyre, në mënyrë që të respektohet distancimi fizik.

Rekomandohet dhe shtimi i kontrolleve rigoroze për mbajtjen e maskave nga punonjësit.

“Të gjitha institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të organizojnë punën në distancë me stafin e tyre apo nga shtëpitë e tyre online, në funksion të kryerjes së detyrave bazuar në legjislacionin në fuqi, që nënkupton reduktim të stafit. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze të bartjes se maskave në hyrje të çdo institucioni”, tha ministri i Shëndetësisë.