Duhani, shëndeti dhe shkenca

Publikuar më: 22/6/2020, ora 12:06

Duhani, shëndeti dhe shkenca

Publikuar më: 22/6/2020, ora 12:06

Rreth gjysma e burrave dhe 6% e grave në Shqipëri sot konsumojnë produkte të duhanit. Përpos dëmeve që shkakton në shëndet, të evidentuara edhe në paketim, pjesa më e madhe e këtyre konsumatorëve nuk do ta lënë duhanin përgjatë gjithë jetës.

Për dekada me radhë, autoritetet shëndetësore publike në të gjithë globin janë angazhuar në luftën kundër duhanit si shkaktari numër një në botë i sëmundjeve të parandalueshme, përmes fushatave të informimit dhe edukimit. Ndërsa efektet e këtyre masave kanë qenë të ngadalta.

Për këtë arsye ekspertët kanë nisur të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me duhanpirjen. Forumi Global mbi Nikotinën, është një event i përvitshëm, që mbledh studiues, shkencëtarë dhe zërat më të spikatur nga e gjithë bota të angazhuar në këtë fushë. Këtë vit, ky forum i rëndësishëm u zhvillua në një format online. Për ekspertët, konsumatorët kanë folur dhe po kërkojnë alternativa më pak të dëmshme për shëndetin e tyre.

“Ka shumë pak iniciativa që të lësh duhanin. Shiko se e kemi përballuar duhanpirjen përgjatë viteve. Maksimumi u kemi ofruar njerëzve ngjitëse ose çamçakëz me nikotinë duke u thënë se mund t’i ndihmojnë ta lënë. Përgjithësisht në fushën e shëndetit publik jemi mbështetur tek turpërimi, distancimi, fotot e shëmtuara në paketa dhe tek taksimi. Përveç turpërimit, bezdisë dhe vështirësisë financiare, është e paqartë se çfarë kemi arritur me këtë”

Dr. Mark Tyndall – Specialist i sëmundjeve infektive, epidemiolog

Duhanpirja siç e njohim ne mund të zhduket dekadën e ardhshme, kur shitjet e paketave të cigareve pritet të zëvendësohen nga produktet alternative të duhanit. Vitet e fundit me miliona njerëz kanë braktisur cigaret dhe përdorin produkte bazuar mbi teknologji të reja, si cigaret elektronike, produkte si SNUS duhani i përtypshëm që ka rezultuar shumë i suksesshëm për zëvendësimin e cigareve në Suedi,  apo duhani me ngrohje, duke lëshuar 95% më pak kimikate të dëmshme. Këtë transformim, ekspertët e shohin si një mundësi historike.

“Shikoni se çfarë po ndodh në disa shtete rreth e qark botës. Po bazohen në shkencë. Deri pak më parë mund të jepnim vetëm Suedinë si shembullin që cigaret mund të zëvendësoheshin. Por në pak kohë edhe vende si Norvegjia dhe Islanda treguan se mund të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe nisën të konkurrojnë me Suedinë si vendet me më pak përdorues të cigareve. Tani kemi edhe Japoninë, ku një e treta e tregut të cigareve u zhduk brenda një kohe shumë të shkurtër për shkak se konsumatorëve iu dha një alternativë. Së fundmi kemi edhe Europën Qendrore me një rritje të fortë të produkteve alternative të duhanit, veçanërisht produkteve me nxehje. Cigaret po zëvendësohen me një ritëm të jashtëzakonshëm. Mendoj se kemi parë shumë prova që konsumatorët e rritur kalojnë drejt alternativave të tjera kur u jepet mundësia. Gjithashtu mund të shikojmë mundësinë që kemi për të ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e historisë së shëndetit publik”

David Sweanor – Ekspert për legjislacionin shëndetësor

Kërkesën e tregut e ka dëgjuar edhe vetë industria. Madje një prej aktorëve kryesorë globalë ka bërë një premtim të rëndësishëm për të eliminuar tërësisht cigaret, duke i kushtuar të gjithë vëmendjen dhe investimet alternativave më pak të dëmshme.

“Ne jemi zotuar të zëvendësojmë cigaret me alternativa më të mira, sa më shpejt të jetë e mundur. Synimi ynë është një e ardhme pa tymosje. Një e ardhme, ku të gjithë ata persona që do të vazhdonin të tymosnin, të kalojnë drejt produkteve të provuara shkencërisht që janë më pak të dëmshme se tymosja. Ne po ndryshojmë.

Deri më sot kemi bërë një investim të rëndësishëm dhe kemi dedikuar mbi një dekadë punë për kërkim dhe zhvillim, që të përmbushim zotimin tonë. Produktet pa tym tashmë përbëjnë një pjesë të madhe dhe në rritje të shitjeve tona, krahasuar me thuajse asgjë në vitin 2015. Edhe shpërndarja e burimeve tona ndjek të njëjtën trajektore. Sot mbi 2/3 e shpenzimeve tona tregtare dhe thuajse të gjitha shpenzimet për kërkim dhe zhvillim, i dedikohen produkteve tona alternative.

Dhe si rezultat, deri në Mars të këtij viti, rreth 10.6 milionë burra dhe gra kanë lënë cigaren dhe kanë kaluar tek IQOS, produkti ynë kryesor pa tymosje. Ambicia jonë është që deri në 2025, pra në vetëm 5 vite, të paktën 40 milionë njerëz të bëjnë të njëjtën gjë. Ne besojmë se shitja e cigareve do mund të ndalojë në shumë vende në 10-15 vitet e ardhshme”.

Dr. Moirsa Gilchrist – Zv/Presidente PMI

30 ekspertët botërorë diskutuan gjatë Forumit Global përparimet e shkencës mbi nikotinën. Në Shqipëri, sipas studiuesve, rritja e akcizës mbi duhanin, ndonëse një mekanizëm që dekurajon duhanpirësit, krijon nga ana tjetër një problem më të madh me kontrabandën dhe vë në rrezik jetën e të gjithë konsumatorëve të këtyre produkteve të pakontrolluara.

Për këtë arsye, panelistët e forumit vunë theksin tek nevoja e përfshirjes së reduktimit të rreziqeve nga duhani në strategjinë globale të kontrollit të duhanit. Sipas tyre, duke ofruar këto alternativa më pak të dëmshme, cigaret dhe sëmundjet e shkaktuara nga djegia e duhanit, do të zhduken në një të ardhme të afërt.