Emigrantët dhe diaspora, në 30 vite, kontribut jetik në ekonomi

Diaspora shqiptare ka luajtur një rol vendimtar në zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë tre dekadave të fundit. Për shumë kohë emigracioni është parë si zgjidhje e vetme për problemin e papunësisë, teksa dërgesat drejt familjeve në vend kanë zënë një peshë prej 9-15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Emigracioni ka krijuar gjithashtu probleme të mëdha ekonomike, veçanërisht në tregun e punës, me largimin e trurit, me reduktimin e fuqisë punëtore me mbi 1.44 milionë persona dhe duke mbajtur pagat në nivele të ulëta.

Në tërësi, sipas ekonomistit Selami Xhepa, kontributi në këto 30 vjet ka qenë pozitiv dhe e bën të nevojshëm përfaqësimin e diasporës në procesin demokratik të vendit.

Sipas Xhepës, e drejta e votës i jep një kërkesë më të madhe për llogari komunitetit shqiptar jashtë vendit, për problematikat që ata hasin, ku shteti shqiptar duhet të ndërhyjë.

Sipas të dhënave të INSTAT, që pranohen edhe nga qeveria, arsyet kryesore që pengojnë rikthimin e emigrantëve janë mungesa e besimit tek institucionet shtetërore dhe korrupsioni e krimi i organizuar.

Pa kapërcimin e këtyre problemeve, remitancat do të vijojnë të përdoren për konsum nga familjet, pa pasur mundësinë të përfshihen drejtpërdrejt në investime dhe burime të tjera zhvillimi të ekonomisë.