Tyson gati për rikthim, poston video nga stërvitja intensive në ring

tyson 600x338

Kanë kaluar 15 vite nga hera e fundit që e kemi parë Mike Tyson në një ndeshje zyrtare. Ishte viti 2005 dhe “Majku i hekurt” u mund nga Kevin McBride. Por, sot, pak ditë para se të mbushë 54 vjeç, ish-boksieri duket se është plotësisht gati për rikthimin e madh në ring.

Bëhet fjalë për një ndeshje me qëllim bamirësie, për të ndihmuar të pastrehët dhe personat e varur nga droga, por edhe me qëllimin që Mike Tyson t’i tregojë vetes se ka lënë pas krahëve një periudhë të vështirë të jetës së tij. Në muajt e fundit, ai ka humbur 45 kg falë një diete vegane dhe një stërvitjeje intensive. Gjithashtu, ka lënë alkoolin dhe drogën, duke tejkaluar edhe problemet me depresionin.

Orët e fundit, Tyson ka postuar në rrjetet sociale një video ku shihet në ring duke u stërvitur me një ritëm shumë të lartë dhe duke dhënë goditje tepër të forta te trajneri.

Ende nuk dihet se kush do të jetë kundërshtari i Tyson në rikthimin e madh në ring, por ndërkohë sfida po gjeneron shumë interes pas pamjeve që tregojnë formën e jashtëzakonshme të Tyson.