Putin tregon forcën ushtarake në mes të pandemisë, masa ekstreme anti-Covid-19

Me 14 mijë ushtarë, 216 mijë mjetë ushtarake, 75 avionë, 80 veteranë të Luftës së Dytë Botërore dhe 10 krerë shtetesh e qeverish, Moska festoi përmes një parade triumfuese, 75-vjetorin e fitores sovjetike ndaj fashizmit.

Në një fjalim në Sheshin e Kuq, presidenti Vladimir Putin tha festimet për Ditën e Fitores, mbaheshin për t’i kujtuar njerëzve dhe popullit se ushtria e Bashkimit Sovjetik, ishte forca më e rëndësishme në luftën kundër nazizmit. Lufta e Dytë Botërore i kushtoi jetën mbi 20 milionë njerëzve në ish-Bashkimin Sovjetik.

“Është detyra jonë të kujtojmë se populli sovjetik mbajti barrën kryesore në luftën kundër nazizmit. Ishin njerëzit tanë ata që arritën të tejkalonin të keqen, duke mundur më shumë se 600 divizione të armikut, e duke shkatërruar 75-përqind të arsenalit të tyre ushtarak”, tha Putin.

Ai që konsiderohet si eventi më i rëndësishëm në vend, ishte parashikuar të mbahej në 9 maj, por situata me pandeminë detyrojë shtyrjen. Ushtarët që morën pjesë në paradë iu nënshtruan karantinës së detyruar para mbajtjes së aktivitetit, ndërsa të ftuarve iu bë testi për koronavirus, qytetarëve ju kërkua të qëndrojnë në shtëpi dhe të ndjekin festimet nga televizioni.

Parada e këtij viti mbahet në prag një votimi mbarëkombëtar mbi ndryshime kushtetuese, që pritet t’i hapin rrugën zgjatjes së mandatit të Putinit në pushtet përtej 2024-tës. Parada në Sheshin e Kuq është gjithmonë një rast i mirë për evokimin e ndjenjave patriotike, ashtu si në kohën e Bashkimit Sovjetik.

Gjermania naziste i dha fund të gjitha operacioneve ushtarake në 23 të orës evropiane në 8 maj të1945. Rusia dhe disa shtete të ish-Bashkimit Sovjetik e festojnë fitoren në 9 maj, për shkak të ndryshimit të zonës kohore.