Thaçi: S’mundet të ketë mbyllje të konfliktit me Serbinë pa përcaktimin e vijës kufitare

THACI FLAMURI frame 137 1100x620

Presidenti Hashim Thaçi do të kërkojë bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën në takimin e së shtunës me palën serbe në Uashington. Në një intervistë për “Kosova Press”, kreu i shtetit tha se kjo çështje është parimore dhe se nuk ka marrëveshje mes dy vendeve sovrane pa demarkimin e kufirit.

“Demarkimi natyrisht sedo të bëhet në vijat aktuale, por duhet të përmbyllet. Kjo hap tema dhe diskutime të ndryshme, unë nuk jam ekspert në këtë drejtim, por nuk mundet të ketë përmbyllje të konfliktit Kosovë-Serbi pa përcaktimin e vijës kufitare, të demarkimit. Natyrisht, unë kam qenë, jam dhe do të mbetem ithtar i fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës. E di se do të jetë shumë vështirë, por mua nuk më pengon që këtë çështje të shtrojë në tavolinë gjithmonë. Këtë çështje nuk e ka monopol askush dhe nuk është pronë e askujt, siç nuk është as e imja, është çështje parimore dhe në Uashington do ketë biseda parimore të qëndrueshme”, tha Thaçi.

Thaçi tha se ka ide të ndryshme për zhvillimin ekonomik, por e sigurt, sipas tij, është se nuk do të ketë një mini-shengen. Fokusi, tha ai, duhet të jetë tek njohja reciproke dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB.

“Do të ballafaqohemi si palë të barabarta me flamujt tonë shtetëror, do të jenë me mundësi të vogla, minimale për arritjen e ndonjë marrëveshje. Por ne do të bëjmë punën më të mirë. Nuk do të ketë ‘mini-shengen’. Tash ka ide të ndryshme, ka vlerësime të ndryshme prej ekspertëve dhe diplomatëve të ndryshëm evropianë dhe amerikanë. Por realisht, me realitetin do të ballafaqohen vetëm ata që do të jenë në tryezën e bisedimeve”.

Ndërsa Hoti thotë se do të jetë ai udhëheqësi i dialogut me Serbinë, Thaçi theksoi se sipas kushtetutës i takon atij dhe kryeministrit të jenë në krye të këtij procesi.