Transporti ndërqytetas/ Autobusët hapin dyert, por mungojnë udhëtarët

Thuajse në të gjitha qytetet e vendit ka rinisur transporti publik ndërqytetas pas më shumë se tre muaj bllokimi për shkak të pandemisë Covid-19. Udhëtarët kanë qenë të detyruar të mbajnë maskat dhe distancën për të hipur në autobusë.

Edhe pse operatorët e transportit publik nuk kanë rritur çmimin e biletave, autobusët nuk kanë arritur të mbushen as me 70% të kapacitetit, që është limiti maksimal në kuadër të masave anticovid.

Dhe ky fakt duket se ka vënë në vështirësi operatorët, thuajse në të gjitha qytetet. Nëse situata do të vijojë e tillë edhe në ditët në vazhdim, nuk përjashtohet mundësia e rritjes së çmimit të biletave, pasi mungesa e udhëtarëve nuk justifikon shpenzimet e operatorëve.

Ndërkohë, transporti urban brenda qyteteve ende nuk ka nisur nga puna, pasi operatorët shprehen se me kushtet e vëna dhe faktin që nuk ka asnjë përgjigje për kërkesat drejtuar qeverisë, nuk mund t’i përballojnë shpenzimet.