Zhbllokimi i Kushtetueses, Meta thërret Ruçin në takim … “sipas Venecias”

Përditësuar më: 24/6/2020, ora 13:40

Zhbllokimi i Kushtetueses, Meta thërret Ruçin në takim … “sipas Venecias”

Përditësuar më: 24/6/2020, ora 13:40

Ilir Meta është i gatshëm t’i japë jetë rekomandimit të Venecias për ta zhbllokuar situatën në Gjykatën Kushtetuese përmes bashkëpunimit institucional me Kuvendin. Për këtë, njoftoi se të hënën do të thërrasë në takim kryeparlamentarin Gramoz Ruçi.

Në fillim të javës së ardhshme, Presidenti Meta do të ftojë për takim zyrtar Kryetarin e Kuvendit për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër që funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese është kusht kryesor edhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Sipas Presidentit, ishte mungesi i respektit për Kushtetutën që çoi në atë që ai e konsideron një qorrsokak, ndaj kërkon bashkëpunim nga të gjithë aktorët për të kuptuar mirë rekomandimet e Venecias. 

“Nëse iniciativa e Presidentit Meta në nëntor 2017 për një koordinim të përbashkët midis Presidentit, Kuvendit dhe EURALIUS për hedhjen e shortit dhe funksionimin e KED në mënyrë të pakontestueshme nga askush nuk do të ishte minuar, Shqipëria nuk do të kishte mbetur asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, opozita nuk do të kishte asnjë justifikim për t’u larguar nga Kuvendi, pushteti vendor do ishte gjithëpërshirës e legjitim, si dhe negociatat do të ishin hapur prej kohësh”, thotë Presidenca.

Në opinionin e miratuar javën e kaluar, Komisioni i Venecias këshillonte palët në Shqipëri që të tejkalonin ngërçin për Gjykatën Kushtetuese duke gjetur me mirëkuptim një mekanizëm zhbllokues.