Barometri i Ballkanit, goditja nga Covid-19, 64% e bizneseve shkurtuan stafin

Kriza e Covid-19 goditi bizneset shqiptare më rëndë krahasuar me rajonin, për shkak të mbylljes së detyruar të aktivitetit dhe krizën e konsumit pas rihapjes.

Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit për vitin 2020, një sondazh i kryer nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, 67% e bizneseve shqiptare të pyetura deklarojnë vështirësitë financiare krahasuar me mesatarisht 42% në vendet e tjera të rajonit.

Por e dhëna më shqetësuese është ajo që flet për mënyrën se si bizneset e kanë përballuar ndikimin e Covid-19, ku 64% e ndërmarrjeve në vend deklarojnë se kanë shkurtuar staf, një shifër tre herë më e lartë se rajoni.

Teksa bizneset po përballen aktualisht me mungesën e klientëve dhe vështirësi në ripunësimin e stafit, 1 në 4 sipërmarrje shprehin si shqetësimin e tyre më të madh frikën nga falimenti.

Në këto kushte, sipërmarrja planifikon se do të duhet një kohë relativisht e gjatë për rikthimin në normalitetit të xhiros së tyre, dhe një kohë akoma më e gjatë për rimëkëmbjen e ekonomisë, që mund të zgjasë deri në 2 vjet.

Teksa i vlerësojnë masat e qeverisë të dobishme, anketa zbulon se bizneset kërkojnë masa të tjera shtesë si mbështetja me grante, shtyrja e mëtejshme e taksave dhe reduktimi i pagesave të kontributeve për punonjësit.