Kroacia kthen karantinën, izolim 14-ditor për 4 shtete të Ballkanit Perëndimor

Kroacia rivendos karantinën për vizitorët nga 4 fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, pasi rajoni është përfshirë nga një valë e dytë e koronavirusit.

Qytetarët e Bosnje-Hercegovinës, Serbisë, Kosovës dhe Maqedonisë se veriut do të duhen të izolohen për 14 ditë pas mbërritjes në Kroaci, ndërsa do të përjashtohen nga kjo masë udhëtarët që kalojnë atje, transit.

Në fund të muajit maj, Kroacia hapi kufijtë për 10 shtete të BE, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Estoninë. Vendi kishte regjistruar pak ose aspak infektime të reja që prej mesit të majit, por situata u përkeqësua javën e kaluar kur nisën të regjistroheshin deri në 30 raste të reja në ditë.

Të enjten u raportuan 95 të infektuar në 24 orë, ndërsa autoritetet thonë se kanë hyrë në fazën e bashkëjetesës me virusin, dhe se do të vazhdojë të ketë rritje të rasteve. Shpërthimi i ri, përkoi me një prej etapave të turneut ndërkombëtar të tenisit, Adria Tur, i organizuar në qytetin bregdetar të Zardarit më 20 qershor. Në event, organizatori Novak Xhokovic, bashkëshortja e tij dhe 3 lojtarë të tjerë të tenisit rezultuan pozitiv ndaj koronavirusit. Turneu nisi në Beograd, në atë që sipas agjencisë së lajmeve AFP ishte një stadium i tejmbushur.