Rama: Akuza ndaj Thaçit e Veselit, si fletërrufe e revolucionit kulturor kinez

25 QERSHOR 2020 PARLAMENT P2 frame 59383 1100x620

Një varg krimesh që sfidojnë edhe kufijtë më të largët të imagjinatës, i quajti kryeministri Edi Rama akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Pothuajse të gjithë jemi prekur me të dëgjuar se zyra e prokurorit të specializuar të Kosovës njoftoi që i ka dorëzuar për shqyrtim tribunalit special akuzat për dy themeluesit e UÇK-së”, tha Rama në fjalën e tij në Kuvend.

“Të jemi të qartë, drejtësia është drejtësi. Nuk është drejtësia në vetvete dhe as kërkimi i saj nga një strukturë e miratuar me vullnetin e vetë kuvendit të Kosovës që ngre pikëpyetje të mëdha, por është leximi i tekstit të shpërndarë në mbarë botën për të lajmëruar një proces gjyqësor.

Edhe sikur të mos ketë asnjë zhvillim të mëtejshëm juridik, i ngjan një fletërrufeje të revolucionit kulturor kinez. Një rrufe që godet shumë më përtej dy emrave të përveçëm, duke shpërndarë në të gjithë botën një njoftim ku nuk është se hidhet baltë marramendëse thjesht mbi Thaçin dhe Veselin, as mbi UCK-në vetëm, por mbi vetë Kosovën dhe krejt Shqiptarinë”.

“Përballë historisë, as Thaçi, as Veseli, as Haradinaj dhe asnjë prej krejt të akuzuarve dhe vetë UÇK nuk kanë nevojë për asnjë mbrojtje publike, sepse përtej kësaj tërkuze të një gjyqësie eksperimentale ndërkombëtare, ata janë vendosur në anën e drejtë të historisë dhe e kanë bërë historinë vetë, historinë e çlirimit të asaj pjese të pandashme të kombit shqiptar që quhet Kosovë”, shtoi Rama.