Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Thaçi në Hagë, Bytyçi: Akuzat për krime lufte të tepërta. Shala: Shumë qytetarë u gëzuan

Nga A2 CNN
25 Qershor 2020, 21:45 | Kosova
Thaçi në Hagë, Bytyçi: Akuzat për krime lufte

Lajmi se Prokurori i posaçëm në Gjykatën e Hagës ka ngritur një aktakuzë për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi për krime lufte dhe vrasje, ka sjellë një panoramë krejt të re të situatës në rajon. Duke e ditur se në çështjen e Kosovës janë të përfshirë si Bashkimi Evropian ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo çështje i kalon tashmë përmasat e një vendi të vogël si Kosova.

Pas dy ditësh në Uashington do të zhvillohej një takim mes presidentit Thaçi dhe atij serb Vuçiç, ku natyrisht presidenti Trump do kishte dorën e tij dhe mendohej se kishte edhe një marrëveshje që do t’u vihej në tryezë të dyve.

E ardhur pikërisht në këtë moment, kjo aktakuzë ndaj zotit Thaçi, të lë të mendosh se çështja e drejtësisë së Hagës mund të mos jetë qartësisht çështje vetëm e drejtësisë. Është e disata herë që Haga çon para drejtësisë ish-luftëtarët e UÇK-së dhe të gjithë kanë dalë të pafajshëm. Në këtë këndvështrim dy gjëra të bien në sy, pse sa herë Kosova është në prag të ndonjë marrëveshje, lideri që është në pushtet atje thirret në Hagë? Dhe e dyta ndoshta edhe me thelbësorja është se pse deri tani asnjë ish-ushtarak serb nuk është thirrur në dyert e Hagës?

Ndërkohë që Kosova fitoi pavarësinë dhe lufta e saj u quajt çlirimtare, pse ka gjithmonë akuza për krime lufte ndaj ushtarëve të saj? Dhe pas kaq vitesh nga lufta, një tjetër aspekt që kërkon vlerësim, nëse është bërë gabim që Kosova nxori drejtuesit e shtetit të saj pikërisht nga ish-drejtuesit e luftës. Fare mirë ata mund të mbeteshin heronj dhe kaq dhe shteti të drejtohej nga të tjerë njerëz.

Për të bërë një analizë të thelluar të kësaj çështje ishin të ftuar në A2 Enver Bytyçi, analist dhe njohës i çështjeve të rajonit dhe analisti Krenar Shala.

Bytyçi e vlerësoi si politike publikimin e aktakuzës vetëm 3 ditë para takimit, ndërsa thekson se është sukses për Kosovën anulimi i takimit.

“Akuza e prokurorit special është ngritur më 24 prill dhe ajo ndodhi tani për disa arsye të zhvillimeve kombëtare dhe zhvillimeve që kanë të bëjnë me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Unë do ta konsideroja një hap politik publikimin e aktakuzës vetëm 3 ditë para takimit të Uashingtonit. Mund të ndodhte edhe një ditë pas takimit apo në një kohë tjetër, por ndodhi vetëm 3 ditë para takimit të rëndësishëm. Është sukses për Kosovën anulimi i këtij takimi. Korrigjimi i kufijve do të sillte destabilitet, përsëritje të këtij fenomeni edhe në shtete të tjera”.

Për Krenar Shalën nuk ka pasur pritshmëri për një marrëveshje në Uashington duke qenë palët janë në pozicione të kundërta.

“Janë ngritur disa teori konspiratike, por është herët për të folur për efektivitetin e Gjykatës Speciale. Nuk është pritur që do të ketë një marrëveshje finale në Uashington sepse dihet tashmë pozicionet e kundërta të Serbisë dhe Kosovës. Nuk është e vërtetë që marrëveshja do të mbyllej në Uashington”.

Bytyçi shprehet se është e tepërt të artikulohet akuza për krime kundër njerëzimit ndaj Thaçit dhe Veselit. “Sa i përket akuzës, aty përmenden krimet kundër njerëzimit, por unë do të thosha që është e tepërt të thuhet edhe nëse ato krime janë të vërteta. Civilë të pafajshëm, edhe në radhët e shqiptarëve, janë vrarë dhe dhunuar gjatë luftës dhe pas luftës. Them që Gjykata Speciale pati një status të veçantë, por është herët që të thuhet se cili do të jetë rezultati i kësaj gjykate”, tha Bytyçi.

Shala shprehet se akuzat ndaj Thaçit dhe Veselit janë për krime pas luftës. “Kosova duhet të sjellë drejtësi për viktimat që kanë ndodhur pas luftës. Unë mendoj se Thaçi dhe Veseli janë bërë subjekt për krime pas luftës, ku diku 400 veprimtarë të LDK janë vrarë ose kanë humbur dhe afërsisht 1 mijë persona të bashkësive të tjera janë vrarë ose janë zhdukur. Është e pamundur të kemi drejtësi absolute, shumë qytetarë ndoshta nuk do të mbesin të kënaqur, por projekti i Gjykatës Speciale ka qenë një projekt evro-amerikan. Vrasjet janë kryer në emër të kolaboracionistëve, por në fund ka dalë që ata janë vrarë për shkak të pozicioneve politike që kanë mbajtur. Një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve janë gëzuar për ngritjen e aktakuzave, por nuk është mirë që të paditet një kryetar shteti”.

Tërheqja e Rusisë e dyshimtë

“Futja në lojë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mos reagimi i Rusisë për ndikimin e SHBA-ve, për mua, është diçka e dyshimtë. Rusët kanë qenë të vendosur se nëse janë amerikanët të pranishëm, do të jenë edhe ata do të jenë të pranishëm. Tërheqja në këtë moment e tyre ka një prapavijë, por secila është nuk mund ta them dhe nuk mund ta shpjegoj”, u shpreh Bytyçi.

Më tej, Bytyçi vlerësoi diplomacinë e Beogradit, duke theksuar se ajo po synon të shfrytëzojë kontradiktat mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të BE-së.

“Serbia rri urtë, por ka një diplomaci shumë të shkathët, për ta pasur zili. Ata synojnë të shfrytëzojnë kontradiktat mes SHBA-ve dhe disa vendeve të BE-së në të mirë të saj, ndërsa Thaçi dhe një pjesë e mirë e politikës në Prishtinë dhe në Tiranë ka bërë të kundërtën.  Vuçiç është shumë i kujdesshëm kur flet për vende të BE-së dhe SHBA-në. Kosova duhet të mësojë nga diplomacia e Serbisë”, u shpreh Bytyçi.

A2 CNN Livestream

Dita jonë