Është më shumë se 100 vjeç, por fiton betejën me koronavirusin

Etiopi koronavirusi 114 vjec 1100x620

Një i moshuar nga Etiopia, i cili besohet të jetë më shumë se 100 vjeç, ka arritur të fitojë betejën me koronavirusin, i cili u ka marrë jetën deri tani më shumë se 500 mijë personave.

Familja e Aba Tilahun Woldemichael ka thënë se ai është 114 vjeç, moshë e cila do ta bënte atë njeriun më të vjetër në botë, por për ta vërtetuar këtë, ata nuk kanë certifikatën e lindjes.

I moshuari është rikthyer tashmë në shtëpinë e tij, ku po i shërben nipi, ndërsa mjekët e kanë vlerësuar këtë rast si të jashtëzakonshëm.

“Në spital u luta Zotit të shërohesha. Unë u luta gjithashtu për shëndetin e të gjithë vendit tim”, tha ai për BBC.

Aba Tilahun rezultoi pozitiv me koronavirus kur Covid-19 po përhapej me shpejtësi në lagjen ku ai banonte, në Addis Ababa. I moshuari u shtrua në spital para se të shfaqte simptoma. Kjo e ndihmoi ekipin mjekësor të kujdesej nga afër për shëndetin e të moshuarin dhe në fund ata ia dolën ta rikthejnë atë edhe njëherë në shtëpi me shëndet të plotë.