Genc Ruli në krye të Komisionit të Vlerësimit të Kandidaturave? Bardhi: Nuk është vendosur ende

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një lidhje direkte me studion e “Ditari” në A2, deklaroi se nuk është e vërtetë që Genc Ruli është caktuar si drejtues i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve.

“Nuk ka asnjë emërim të asnjë anëtari të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve. Tradita dhe praktika e vendeve prej të cilëve e kemi marrë modelin, na tregon që në përbërje duhet të jenë personalitete politike, publike dhe duhet një përzgjedhje cilësore të anëtarëve të Komisionit. Sot, nuk ka anëtar të emëruar në krye të këtij komisioni. Zoti Ruli nuk është larguar ndonjëherë nga PD-ja, është personalitet i saj që në faza të ndryshme ka dhënë kontribute të çmuara në pozicione të ndryshme dhe është kandidaturë për të dhënë kontribut në shumë pozicione brenda partisë”, tha Bardhi.

Sipas tij, me ndryshimet e statutit të PD-së në vitin 2018, “tashmë anëtarët do të kenë jo vetëm të drejtën statutore të propozimit, por edhe të votimit sipas parimit një anëtar, një votë për të përzgjedhur kandidaturat finale për deputetë dhe kryetarë bashkie. Procesi do të jetë i ndarë në katër faza: Procesi në nivel Dege për identifikimin dhe propozimin e kandidaturave; Procesi i seleksionimit të kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve; Procesi i konsultimit me parimin “një anëtar, një votë” për kandidatët e mundshëm nga anëtarësia; Përzgjedhja dhe caktimi nga Kryesia e Partisë dhe miratimi nga Këshilli Kombëtar”.

“Kryetari i partisë ka përgjegjësitë e veta, por procesi i përzgjedhjes së përfaqësuesve të qytetarëve i takon qytetarëve. Në rastin konkret, do t’i takojë anëtarëve të PD-së që të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në nivel qendror dhe lokal”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Kur u pyet nëse PD-ja është e hapur për bashkëpunim me lëvizje të tjera, Bardhi u përgjigj: “Jemi të hapur për të bashkëpunuar me çdo faktor, pjesë të shoqërisë civile, që ndajnë parime të njëjta me ne, të njëjtën betejë me ne, që kanë të njëjtat qëllime për të demokratizuar më tej jetën publike dhe politike në vend”.

“Është në interesin e Edi Ramës që të ndalojë opozitën e bashkuar që të hyjë në zgjedhje dhe të eliminojë partitë e vogla. Qëndrimi i PD-së është që Shqipëria ka nevojë për parti politike dhe jo për vetëm 3 parti. Ne duhet të kemi sa më shumë parti dhe t’i garantojmë barazi në garë, pasi kjo ndihmon pluralizmin në vend. Prandaj më duket e çuditshme që përfaqësues të partive të vogla propozojnë një draft që synon eliminimin e tyre politik. Por, nuk vjen e papritur pasi ky plan ka një vit që gatuhet në paradhomën e Edi Ramës”, theksoi Bardhi.

Në lidhje me Reformën Zgjedhore, Bardhi tha: “Përgjegjësinë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme e ka qeveria. Sa kohë që në krye të qeverisë është Rama, kemi parë që janë cenuar garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne e kemi bërë të qartë se këto nuk janë çështje Reforme Zgjedhore, por vullneti politik. Ne jemi bërë pjesë e Reformës Zgjedhore jo se besojmë se me të garantohen aspektet e qenësishme të garës elektorale, por sepse ajo është një nga 15 kushtet për hapjen e negociatave. Ne duam të hapim ndihmën tonë për të kapërcyer një nga 15 kushtet”.