OBSH: Rritje e rasteve në Europë, situata përkeqësohet në 11 shtete, përfshirë Shqipërinë

Rritja e rasteve me koronavirus në disa shtete europiane, ka alarmuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Drejtori rajonal i organizatës, Hans Kluge tha se në 11 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, është shënuar një rigjallërim i rëndësishëm i virusit. 

“Paralajmërimet tona për rrezikun e një shpërthimi të ri, mes zbutjes së masave të kufizimit, janë bërë realitet”, tha Kluge.

Sipas tij, nëse situata nuk do të vihet nën kontroll, sistemet e shëndetësisë do të mbajnë mbi supe një barrë të papërballueshme. Perveç Shqipërisë, 10 shtetet e tjera të cilave u referohet OBSH janë Kosova, Armenia, Suedia, Moldavia, Maqedonia e Veriut, Azerbajxhani, Kazakistani, Bosnje- Hercegovina, Kirgistani dhe Ukraina.

Kontinenti i Vjetër numëron mbi 2.6 milion raste me Covid-19, ndërsa viktimat janë rreth 195 mijë. Gati 20 mijë infektime të reja, dhe 700 vdekje po shënohen çdo ditë. Eksperti i OBSH tha se vende të tilla si Polonia, Gjermania, Spanja dhe Izraeli kishin reaguar me shpejtësi ndaj shpërthimeve të rrezikshme të virusit në shkolla, fabrika apo miniera, duke e vënë situatën nën kontroll.

Pavarësisht paralajmërimeve për një valë të dytë të pandemisë, Kluge pohoi se situata pritej të qetësohej më tej në shumicën e vendeve europiane gjatë stinës së verës.