Përfundon testimi serologjik, pozitivitet i ulët i mjekëve, studimet rrëzojnë “imunitetin e tufës”

Përfundon testimi serologjik për Covid-19 në stafet mjekësore. Nga analizat e kryera ne personelin e qendrës spitalore “Nënë Tereza” dhe në spitalin “Shefqet Ndroqi” rezultoi pozitivitet i ulët i virusit.

Shefi i laboratorit të mikrobiologjisë Andi Koraqi thotë se numrin më të lartë të të infektuarve midis mjekëve dhe infermierëve të prekur e mban spitali Infektiv, ku 15% e tyre rezultuan pozitivë. “Përqindja është e ulët, po flasim për 4 mijë personel të testuar dhe vetëm 5.8 % kanë dalë pozitiv ndaj Covid-19”. deklaron ai për A2.

Por virusi Sars Cov-2 vijon të ketë shumë të panjohura. Studimet e fundit tregojnë se antitrupat te një i prekur nga koronavirusi nuk jetojnë më shumë se 6 muaj, çka bën të mundur riinfektimin e tij. Mikrobiologu Koraqi thotë se këto studime hedhin poshtë dhe teorinë e deritanishme për imunitetin e tufës.

Andi Koraqi

“Ka studime që tregojnë se këto antitrupa jetojnë vetëm  3-6 muaj, dhe teoria e imunitetit bie pasi pas 6 muajsh mund të sëmureshe. Zgjidhja është vetëm vaksina dhe ilaçi kurues”, vijon Koraqi.  

Deri në gjetjen e një vaksine apo ilaçi kurues, mjeku Koraqit thotë se popullata duhet të mësohet me rregullat e reja, më të rëndësishmet mes tyre mbajtja e maskës dhe distancimi fizik.

“Vë re që nuk respektohen masat. Maskat nuk mbahen nga njerëzit, por studimet e fundit tregojnë se vendosja e tyre mbron nga virusi deri në masën 70%”, thotë ai.

Pas mjekëve, testimit serologjik do t’i nënshtrohen efektivet e policisë dhe grupe të caktuara në popullatë. Ndërsa laboratori i QSUT do të nisë kryerjen e testimeve për Covid për pacientet e shtruar në spital.