Rritje rekord e rasteve në SHBA, ekspertët: 20 milionë njerëz mund të jenë infektuar me Covid-19

Të paktën 20 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara mund të jenë infektuar me Covid-19, sipas vlerësimeve të fundit të autoriteteve shëndetësore. Qendra për kontrollin e sëmundjeve tha se bilanci real i të prekurve mund të jetë 10 herë më i lartë nga çfarë raportohet.  Të dhënat zyrtare flasin për 2.4 milionë raste dhe mbi 122 mijë vdekje nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara.

 “Ne vlerësojmë se për çdo rast të raportuar me koronavirus ka edhe 10 infektime të tjera”, deklaroi Robert Redfield, Drejtor i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve.

Ekspertët e argumentojnë këtë konstatim, me faktin se nga muaji mars deri në maj, testimeve u janë nënshtruar kryesisht personat me simptoma të sëmundjes, ndërsa vlerësohet që asimptomatikët të përbëjnë një numër të lartë të të prekurve.

Sipas drejtorit të qendrës për kontrollin e sëmundjeve, Robert Redfield, 5 deri në 8 për qind e popullsisë ishte ekspozuar ndaj virusit. Ai u bëri thirrje amerikaneve të ruajnë distancën sociale të mbajnë maska e të lajnë duart.

Paralajmërimi vjen ndërsa shteti amerikan i Teksasit, pezulloi procesin e rihapjes mes rritjes së infektimeve dhe shtrimeve në spital. Shteti regjistron një rekord prej gati 6 mijë rastesh të enjten, e gjithashtu 47 vdekje, shifra më e lartë në një muaj.

Gjithashtu, Alabama, Arizona, Kalifornia, Florida, e Nevada e shtete të tjera kanë regjistruar rritje rekord të rasteve me koronavirus gjatë kësaj jave.