“Countdown” për reformën, drafti drejt Kuvendit, aleatët e PS-së e quajnë armëpushim politik

Reforma zgjedhore brenda qershorit ishte një nga kushtet e Bundestagut gjerman për çeljen e negociatave.

Me shumë sforcime, ndërhyrje dhe bekimin e SHBA-BE, trekëndëshi politik mazhorancë-opozitë, brenda dhe jashtë parlamentare, arritën të hartojnë një draft për kodin zgjedhor.

Burimet thonë se ai do të protokollohet në formën finale në Kuvend të hënën, pasi këtë fundjavë i është shpërndarë palëve politike në rast të ndonjë ndryshimi të vogël të mundshëm. Në respektim të afateve të vendosura nga ndërkombëtarët, por edhe për faktin se skadon afati i rishtyrë i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, palët kanë kohë deri të martën që të japin miratimin zyrtarisht për draftin.

Por, ndërsa Rama kërkon të kënaqe kampin opozitar, duket se ka sjellë pakënaqësi të të vetët. Gjergj Koja, kreu i Partisë Socialiste të moderuar, aleati historik i PS, e quan marrëveshjen një armëpushim mes të mëdhenjve në politikë, por nuk bindet se do të ketë vërtetë reformë të vërtetë zgjedhore.

A2 kontaktoi edhe me aleatët e tjerë të PS-së, por për momentin nuk shprehen gatishmëri për të komentuar reformën zgjedhore, që në thelb i prek ata drejtpërdrejtë, ndërkohë që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, janë të paktën 10 muaj larg.