Dita ndërkombëtare e marinarëve, roli i detarëve në ekonomi, mes sakrificave dhe bashkëjetesës me dallgët

Vapori do të niset së shpejti! Një varkë druri lëkundet nga vala, nga vala e kaltër adriatike dhe bri vaporit të madh hesht, hesht e vjetër, melankolike…Direkët e vinçat puth mëngjesi i lirë, sirenat shkruan mbi det nëntë germa: Lamtumirë!” Kur sirenat oshëtijnë për të sinjalizuar nisjen e anijes për në destinacionin e radhës, bashkë me të largohen nga toka dhe ekuipazhet  që orientojnë atë e që lënë pas atë që kanë ndërtuar në tokë.

Detarët kanë po thuajse të njëjtin fat, distancimin nga pjesa tjetër e botës, duke humbur shumë ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre familjare e duke bashkëjetuar mbi valët e detit, me qiell të  pastër dhe në stuhi. E pikërisht rolit dhe misionit të tyre fisnik, Organizata Ndërkombëtare e Detarisë, (IMO) prej 10 vitesh kremton 25 qershorin si “Ditën e Detarëve”.

Kjo ditë në të gjithë globin festohet si një formë për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj miliona punonjësve të sektorit detar në të gjithë botën për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në mbarëvajtjen e tregtisë ndërkombëtare detare, ekonomisë globale dhe shoqërisë në tërësi.

“Dita e Detarëve” është një festë zyrtare ndërkombëtare e njohur nga Kombet e Bashkuara dhe celebrohet në nderim të rolit unik dhe gjithëpërfshirës të detarit, shpesh të anashkaluar nga shoqëria si dhe në vlerësim të kontributit të paçmuar në mirëqënien tonë dhe të mbarë botës-shpesh duke rrezikuar dhe duke u përballur me kosto të mëdha personale për veten dhe familjet e tyre.

Në kohë të mira dhe të vështira detarët mbeten heronjtë e heshtur dhe të pa duartrokitur të ekonomisë globale. Ata i përkushtojnë jetën një pune fizikisht dhe mendërisht sfiduese, e cila ju imponon vetminë dhe distancimin nga pjesa tjetër e botës; ky mesazh Sekretar i Përgjithshëm të IMO, zë vende dhe në sektorin tonë të detarisë.

Por, sa e vështirë ka qenë puna e detarëve tanë gjatë kësaj periudhe dhe a ndihen ata të vlerësuar në misionin e tyre fisnik? A do të rikthehen edhe një herë pas në kohë për të bërë të njëjtën zgjedhje, kur tanimë e dinë sa larg familjes dhe sa pranë njerëzve të tjerë janë?

Në vendin tonë ky profesion shpesh identifikohet me gjininë mashkullore, por dëshmi e thyerjes së kësaj tabuje është Elmira, 25 vjeçarja nga Berati, që është e para femër inspektore në historinë e Kapitenerisë shqiptare, që prej krijimit të saj.  Sigurimi dhe ruajtja e sovranitetit të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë është misioni i saj më i rëndësishëm, më i rëndësishmi në këtë sektor edhe sipas shefit të shtabit të Forcës Detare.

Shpëtimi i njerëzve është një tjetër mision i këtyre detarëve. Anija me të cilën po lundrojmë sot ka një kapiten, që nuk heziton të na tregojë përtej momenteve të vështira, edhe përjetimet e tij në nisje të çdo agimi, kur detyra e thërret për të nisur lundrimin në kaltërsinë e pafundme të dallgëve të reja.

Vullnet të fortë kërkon edhe sakrifica për të mos qenë pranë familjes në momente të veçanta. Nëse flasim për të tashmen e detarisë, nuk mund të lëmë pa përmendur të shkuarën, ata që me punën dhe kontributin e tyre hodhën bazat e kulturës tonë detare.

Vetë historia e detarisë shqiptare dëshmohet që në periudhën ilire, favorizuar nga pozicioni i gjeografik i vendit tonë, shtrirë në kryqëzimin e rrugëve më të shkurta që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos. Ky pozicion gjeografik ka favorizuar lindjen dhe zhvillimin e flotës tregtare, të peshkimit, luftarake, turistike, transportin detar, etj. Studiuesi Moikom Zeqo thekson se: ‘Në vite deti dhe kombi shqiptar u bënë një binom, një lidhje mes natyrës dhe njeriut’, binom që edhe sot pavarësisht zhvillimeve të vrullshme teknologjike është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm.

Kapiten Polo Guga, sot veteran i Forcës detare, kujton me nostalgji për A2  formimin e tij në ish-Bashkimin Sovjetik, e deri në mbyllje e karrierës së tij më shumë se 30vjeçare, i  lidhur me  një profesion,  që siç thotë ai, duhet ta dashurosh çdo ditë, ndryshe nuk mund ta bësh me aq pasion dhe përkushtim.

Sot, Kapiten Polo Guga, është bërë gjysh dhe jetën e tij e ka zhvendosur në tokë, por nuk harron të përmendë sakrificat për profesionin e jetës, ku shpesh ka humbur dhe ngjarje t rëndësishme familjare.

Le të ndalemi një moment dhe t’iu shprehim mirënjohjen dhe t’iu themi “Faleminderit Detarëve”!