Hoti pas vizitës në Bruksel: Takimi në SHBA mbahet së shpejti, lufta e UÇK është e shenjtë

Përmbyllja sa më e shpejtë e procesit të dialogut është në interesin e Kosovës, Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Këtë e tha kryeministri Avdullah Hoti, pas kthimit nga Brukseli, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian. Sipas tij, takimi në Uashington, i kryesuar prej tij si kryeministër, do të mbahet shumë shpejt, në një datë të re, sipas dakordësimit me ndërmjetësuesin e SHBA-së në dialog, Richard Grenell.

Duke komentuar aktakuzën e zyrës së prokurorit të posaçëm të Hagës, kundër Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Hoti tha se lufta e UÇK-së ishte e shenjtë për Kosovën.

“Zhvillimet politike dhe zhvillimet e fundit në veçanti në Kosovë e kanë ndërruar dinamikën, pas njoftimit të dorëzimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorit. Lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është arritja më e madhe e shtetit tonë për të fituar pavarësinë. Kjo luftë është e shenjtë dhe ka sjellë lirinë dhe pavarësinë, si dhe akti i shpalljes nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë komplet e legjitimon luftën”, tha Hoti.

Ndër tjera, kryeministri i Kosovës tha se nga java e ardhshme do të diskutojnë me secilin vend të BE-së sa I përket reformave për liberalizmin e vizave duke theksuar se do të punohet me shtetet skeptike, që ku proces të avancojë. Të shtunën, deputetët e Parlamentit Evropian i kanë dërguar letër kancelares gjermane Angela Merkel, që të vë në agjendë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, pasi Gjermania nga 1 korriku do të udhëheqë Bashkimin Europian.