Ish-bosi i F1: Njerëzit më ngjyrë janë më racist se të bardhët

Mes protestave, që shpesh kanë qenë edhe të dhunshme, kundër racizmit, të shumtë kanë qenë personazhet e famshëm që i kanë mbështetur, por ka edhe nga ata që kanë dalë kundër rrymës.

Një prej tyre është edhe ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, i cili në një intervistë për CNN, ndër të tjera, është shprehur se njerëzit me ngjyrë janë më racist se të bardhët, ndërsa ka shtuar duke thënë se ka mbetur i befasuar nga Lewis Hamilton, pasi ky i fundit ishte mërzitur nga një sulm racist gjatë një interviste.

“Jam i habitur që ai u shqetësua. Jam vërtetë i pakënaqur nëse ai e mori atë seriozisht. Nuk mendoj se ai episod ndikoi te Hamilton”, ka thënë Ecclestone, duke iu referuar një deklarate të fundit të Hamilton, i cili tregoi për një ngjarje të 12 viteve më parë në Spanjë.

Ecclestone e vlerësoi si “marrëzi” heqjen e statujave në mes të lëvizjes “Black Life Matter”.

Bernie Ecclestone ka qëndruar në krye të Formula 1 për 40 vite me radhë, ndërsa tashmë në moshë 89 vjeçare, ai është duke pritur fëmijën e tij të katërt nga partnerja e tij, 44-vjeçarja Fabiana Flosi.