Dallimet kryesore të planeve të PS dhe PD për ekonominë

Kur mungon më pak se një vit nga data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, dy partitë kryesore në vend garojnë me dy programe ekonomike shumë të ndryshme.

Socialistët i qëndrojnë taksës progresive, ku, sipas tyre, kush fiton më shumë duhet edhe të paguajë më shumë. Ndërsa demokratët propozojnë rikthimin e taksës së sheshtë 9%, me efektet që ndihen në uljen e tatimit për të gjithë të punësuarit.

Qeveria premton heqjen e Tatimit mbi Fitimin dhe TVSH-në për biznesin e vogël, ndërsa opozita e ka premtuar diçka të tillë në çdo prezantim të platformës së saj ekonomike, ku tatimi i vetëm do të jetë ai me kuotë fikse sa 0,5% e xhiros vjetore.

Socialistët synojnë rritjen e investimeve dhe të punësimit, duke krijuar lehtësi për sektorë të veçantë si turizmi. Demokratët nga ana tjetër kërkojnë ta bëjnë Shqipërinë më tërheqëse në sytë e investitorëve të huaj, pikërisht përmes lehtësirave fiskale dhe uljes së çmimit të energjisë dhe karburanteve.

Përballë një periudhe të gjatë rekuperimi të ekonomisë nga dëmet e tërmetit dhe krizës së Covid-19, që duket se ende nuk ka përfunduar, qasjet e të dy palëve janë po ashtu të kundërta: investimet dhe konsumi.

Qeveria, teksa ka prezantuar planin ekonomik kombëtar “Shqipëria 2030”, kërkon të rrisë rolin e investimeve publike përmes programit të rimëkëmbjes, projekteve të reja infrastrukturore; si dhe kërkon të çlirojë kapitalin e fjetur përmes amnistisë fiskale. Ndërsa programi i demokratëve synon të heqë të gjitha barrierat drejt formalizimit, si për biznesin, ashtu edhe për individët; që nga ana tjetër, me më shumë para në xhep, do t’i jepnin një hov të madh konsumit.

Në fund, do të jenë shqiptarët ata që do të vendosin me votë për këto dy filozofi të ndryshme ekonomike; se cila është më e realizueshme dhe se cila i ndihmon ata më tepër.