Hapet sezoni në Valbonë, shpresë për vizitorët vendas dhe ata nga Kosova

Mes tingujve të lodrave, valleve dhe ngjyrave të kostumeve popullore, është hapur sezoni turistik malor në Valbonë.

Prej fillimit të pandemisë, Lugina e Valbonës nuk kishte parë kaq shumë njerëz. Bukuritë e natyrës, ajri i pastër, bujaria e banorëve vendas si dhe kulinaria e pasur dhe bio, duan të ftojnë sa më shumë vizitorë në këtë sezon të pazakontë.

E ndërsa në vitet e mëparshme në këtë zonë mbizotëronin vizitorët e huaj, këtë verë shpresa e administratorëve të bujtinave, restoranteve dhe guidave turistike është tek vizitorët vendas.  

Edhe pse për muaj të tërë pa asnjë të ardhur, banorët e zonës janë përpjekur të krijojnë atmosferë dhe kushte optimale në pritje të turistëve.

Vitin e kaluar, zona e Valbonës u vizitua nga rreth 140 000 turistë. Statistikat vjetore kanë treguar se fluksi më i madh është në fundjavë, kur drejt Valbonës mësyjnë qindra vizitorë nga Kosova e rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

Parku Kombëtar i Valbonës është cilësuar si një nga mrekullitë e alpeve shqiptare, që nis nga Qafa e Valbonës e deri në Luginën e Drinit.