Rekurs në Gjykatën e Lartë, Jaeld Çela kërkon të dalë nga burgu

Ish-shefi i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga qelia. Në Gjykatën e Lartë, i bashkëpandehuri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tij nga Apeli i Posaçëm më 19 maj.

Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë para se Apeli i Posaçëm të kthente për rigjykim dosjen “Tahiri”, Çela pretendon se masa e sigurisë “arrest në burg” duhet të zëvendësohet me një masë më të lehtë.

A2 mësoi se kërkesën për lirim, Çela e argumenton me faktin se nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe se çështja është hetuar e gjykuar dhe se ai nuk mund të dëmtojë apo fshehë prova. Pas regjistrimit të rekursit, shorti përzgjodhi gjyqtarin Ilir Panda si relator të çështjes në Gjykatën e Lartë.

Jaled Çela qëndron në burg prej 16 majit, kur u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës pas më shumë se 2 vitesh qëndrimi në arrati. Teksa i fshihej drejtësisë, ai u gjykua në të njëjtin proces me Saimir Tahirin dhe në shtator 2019 u dënua në mungesë me 3 vjet e 4 muaj burg për “shpërdorim të detyrës”.

Tashmë, bazuar në vendimin e së premtes të Apelit të Posaçëm, dosja në ngarkim të tij dhe ish-ministrit do të kthehet për rigjykim në Shkallën e Parë.