Akuzat e Prokurorisë Speciale ndaj Thaçit, Kryeministri Rama vizitë në Kosovë

Edi Rama 2 1100x620

Kryeministri Edi Rama pritet të niset në mesditë për një vizitë dy ditore në Prishtinë, ku pritet të takohet me liderët më të lartë vendas.

Takimi i parë do të jetë me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. Më pas kryeministri Rama do të takojë kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani e pas saj homologun Avdullah Hoti.

Në orën 18.00 Rama do të zhvillojë një bisedë me kryetarin e PDK, Kadri Veseli dhe në orën 18.50 me presidentin Hashim Thaçi. Ajo që vihet re në axhendë është mungesa e një takimi e Edi Ramës me liderin e Vetëvendosje, Albin Kurti.

Vizita e kryeministrit Rama vjen në një kohë kur Prokuroria Speciale në Hagë ka vendosur të ngrejë akuza për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK, Kadri Veseli.

Presidenti Thaçi kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp ditën e djeshme, e cila është shtyrë për sot, ku ai pritet të bëjë me dije qëndrimin e tij pas ngritjes së këtyre akuzave.