Akuzat për krime lufte, Krasniqi: Të personalizuara, nuk duhet të përdoret UÇK-ja për kredenciale personale

A është bërë gabim që në nisje të shtetit të Kosovës kur udhëheqësit e luftës morën në dorë edhe frenat e shtetit? A do të ishte më mirë që heronjtë të mbeteshin heronj dhe shteti të drejtohej nga një kastë e re që të mos vinim në këtë pikë ku jemi sot, ku të gjithë ish-udhëheqësit e UÇK-së kanë provuar dyert e Hagës? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, por edhe të tjerave foli në A2 analisti Afrim Krasniqi.

“Thaçi ndryshoi qëndrim, reagimi i vonuar”

“Ky ishte një mesazh jo i zakonshëm, por realisht është i vonuar. Në reagimin e parë, në një media në Kosovë, gjuha ka qenë refuzuese për një dorëheqje. Sot ishte një sjellje presidenciale, ishte një ligjërim që donte të zbuste konfliktin politik në Kosovë dhe të jepte mesazhin e bashkimit, i cili është pak i komplikuar në këto lloj rrethanash sepse është mesazh bashkimi që i adresohet faktorit politik shqiptar ndaj dialogut politik dhe stabilitetit të Kosovës, por edhe mesazh për të përkrahur vetë atë dhe Veselin dhe figura të tjera të përmendura dhe mund të përmenden. Kosova po përballet me një dilemë të madhe dhe me siguri që liderët politikë të Kosovës duken qartë që nuk kanë qenë të përgatitur. Për këtë arsye, edhe reagimi institucional i Kosovës është shumë i vonuar, i dobët dhe deri tani, pa një strategji dalëse. Të gjithë janë duke pritur reagimin e kancelarive kryesore perëndimore. Deri tani nuk kemi pasur një reagim të tillë”, tha Krasniqi.

“Akuza e personalizuar, nuk duhet të përdoret UÇK-ja për kredenciale personale”

“Kosova nuk është fuqi e tillë ndërkombëtare që mund të luajë midis aktorëve globalë dhe të akuzojë se dikush prej tyre ka ndërhyrë për të krijuar këtë lloj precedenti. Kosova është ndodhur si viktimë në një moment të caktuar. Skenarët dhe truket nuk i përkasin botës shqiptare. Unë them se duhet të presim reagimin e SHBA, Berlinit dhe Parisi. Deri sa këta tre aktorë nuk kanë reaguar, gjithçka tjetër është konsum ditor. Mesazhi që u mundur të përmend Thaçi është përpjeka për të identifikuar aktakuzën dhe zhvillimet me UÇK-në për lirinë e Kosovës në vitin ‘98-’99. Ky është një mesazh pak kompleks dhe gati jo realist. Nuk ka një akuzë ndaj UÇK-së. Akuza është e personalizuar, e drejtuar tek individët dhe individët nuk duhet ta përdorin UÇK-në për kredenciale personale. Përgjegjësitë janë personale, ndërsa lufta e një populli për liri është diçka shumë e madhe, nuk është drejtuar nga një person i vetëm dhe si e tillë nuk mund të ngushtohet kaq shumë sa për ta kanalizuar dhe të barazohet me individët, kushdo qoftë ai”.

“Për sa kohë heronjtë janë pashallarë të zonës, e vështirë të zhvillohet demokracia”

“Ka qenë e pamundur që të evitohej që shteti të drejtohej nga një kastë e re pas lufte. Në atë kohë kanë qenë dy rryma që përballeshin me njëra-tjetrën dhe do të përballeshin në zgjedhje. Nëse ne shohim Kroacinë, nëse shohim Slloveninë apo vende të tjera ku ka pasur konflikte, udhëheqësit e luftës kanë pasur vështirësi për të mbijetuar në kohë paqeje dhe akuzat e luftës, të drejta apo jo, i kanë ndjekur ata nga pas dhe janë përdorur. Është normale që edhe kjo ndodh në Kosovë. Por kur thua që dërguam në Hagë kryeministrin e Kosovës, tani rrezikojmë të dërgojmë presidentin dhe ish-kryetarin e kuvendit, kjo është një kosto shumë e lartë. Për sa kohë heronjtë i kemi gjallë, drejtues partish, zotërues të territorit që kanë drejtuar në kohën e luftës, i kemi gati-gati pashallarë të zonës, atëherë është shumë e vështirë për të zhvilluar demokracinë funksionale. Prandaj partitë politike në Kosovë janë parti të lidhura me fisin, parti lokale. Kosova duhet të mësohet me një standard të ri, por për t’i kapërcyer këto duhet vizion”.

“Nuk po flasim për engjëj, por për politikanë që i kanë bërë të gjitha”

“Nuk po flasim për engjëj, por për politikanë që i kanë bërë të gjitha dhe të mirën dhe të keqen. Në Kosovën e pasluftës ka figura politike të vrarë, individë të zhdukur, ka pasur skandale, pengmarrje dhe krime të tjera. Kush i ka bërë këto gjëra? Duhen hetime për të zbardhur këto ngjarje. Për sa kohë ne kemi pranuar që në kushtetutën e Kosovës të krijohet një precedent, siç është krijuar në Shqipëri me Komisionin Ndërkombëtar të Monitorimit, edhe në Kosovë kemi krijuar një Gjykatë Speciale, duke të respektojmë verdiktin e saj. Nuk mund të themi se gjykatën e pranuar, e miratojmë, por nuk pranojmë vendimet e saj. Duhet të jemi shumë të qartë për të distancuar retorikën e ditës nga faktet dhe procesi i drejtësisë”.

“Rama në Prishtinë, përpiqet të fitojë kredenciale personale”

“Vizita ishte në kohën e duhur për kryeministrin, i cili gjatë muajve të fundit nuk ka pasur asnjë komunikim me Kosovën. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë kanë qenë në pikën e tyre më kritike, asnjëherë nuk kanë qenë të tilla që nga shpallja e pavarësisë. I vetmi lajm në këtë histori është nëse Rama do të takojë Haradinajn dhe nëse në emër të asaj që ai thotë – t’i lëmë pas sherret dhe të kalojmë në një unifikim të qëndrimeve – të shohim se si ai do të sillet ndaj akuzës që ai ka bërë Haradinajt dhe procesit gjyqësor në Kosovë. Nuk mund të shkosh t’i thuash në Kosovë liderëve politikë – t’i lëmë të gjitha pas dhe të kontestojmë gjykatën ndërkombëtare për t’u bashkuar – kur vetë kryeministri ka hedhur në gjyq, në mënyrë të paprecedentë, një politikan të një vendi tjetër me akuzë politike. Ka një non sens në këto qëndrime. Ky është rasti ku Rama duhet ta njohë më mirë Kosovën dhe Kosova ta njoh më mirë Ramën. Rama nuk është heroi i Kosovës që pretendohej në 2013-ën, por një politikan që përpiqet të fitojë kredenciale personale në këtë krizë. Rama duhet të mësohet të respektojë institucionet e Kosovës”.