Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Bardh Spahia: Duhet këputur zinxhiri i infeksionit në QSUT

Nga A2 CNN
29 Qershor 2020, 14:53 | Politikë
Bardh Spahia: Duhet këputur zinxhiri i infeksionit në QSUT

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, i bëri thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të rrisë kapacitetet testuese dhe të këpusë zinxhirin e infeksionit në QSUT.

“Nëse kolegët duhet të rrisin vëmendjen në të përditshmen e tyre, ministrja e Shëndetësisë duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre për testime, sepse ka shumë denoncime nga kolegë si në strukturat publike, edhe ato private që nuk u vihet veshi. Bërja e tamponëve si qokë është skandaloze dhe kriminale, sepse injorimi i personave të infektuar, ndihmon në përhapjen e virusit. Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë! Është kriminale se si akoma sot, 4 muaj pas fillimit të emergjencës, është zero investimi për rritjen e kapaciteteve testuese, asnjë investim për një laborator të ri, asnjë investim për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të testeve, asnjë investim për garantimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët apo sigurimin e maskave të mjaftueshme për qytetarët shqiptarë”, shkruan Spahia në Facebook.

“Me 7 shërbime të infektuara, QSUT është kthyer në një vatër të nxehtë përhapje të virusit dhe përgjegjës nuk janë qytetarët, por vetë ministria e shëndetësisë që po menaxhon këtë situatë! Reagoni zonja ministre, merrni masat që të këpusni zinxhirin e infeksionit në QSUT, sepse është i pafalshëm infektimi i personelit mjekësor, por edhe i pacientëve në një strukturë shëndetësore publike”, shton Spahia.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu