Basha: Klima më e keqe në 30 vite, e shohin biznesin për ta “mjelë”

bashaaa 1100x620

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua këtë të hënë me disa biznesmenë dhe operatorë turistikë në Shëngjin. Lideri i opozitës mbështeti kërkesat e operatorëve turistikë për një paketë të veçantë për turizmin.

Basha tha se kjo është klima më e keqe e 30 viteve, pasi qeveria e sheh biznesin vetëm për ta mjelë dhe që kjo do të ndryshojë shpejt. Ai u zotua se ky ndryshim do të vijë menjëherë me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, me taksën e sheshtë që do të jetë 9%.

“Një nga faktorët kryesor që duhet të ndihmoheshin me paketat, të ashtuquajtura, se janë gjysmë paketa. Sa na përket ne si opozitë, ne kërkuam shumë më shumë, e ngritëm zërin që taksat tuaja të shkonin për të ndihmuar konsumatorët, të shkonin për të ndihmuar operatorët dhe në tërësi operatorët ekonomikë të vendit, por edhe ato gjysmë paketa që u hartuan me qëllim gjoja për të ndihmuar ata që janë goditur më rëndë, siç është  mes tyre industria e turizmit, nuk kanë  dhënë  asnjë efekt. Synimi ynë do të jetë që brenda një viti, Shqipëria të jetë vendi me numrin më të ulët të lejeve dhe autorizimeve në Ballkan. Taksën e sheshtë 9%, kontributet shoqërore 18% dhe 2 masa që besoj, njëra është vendosur që është ulja e çmimit të naftës duke eliminuar taksën e qarkullimit të Ramës, që është 240 lekë për litër dhe kjo padiskutim që jep një efekt të jashtëzakonshëm lehtësues për ju dhe natyrisht do të shqyrtohet për bizneset prodhuese dhe për shtresat në nevojë”, tha Basha.