Dhoma Amerikane e Tregtisë prezanton raportin: Përkeqësohet klima e biznesit në 2019; Kim: Politika të bashkëpunojë

Klima e biznesit në vend ka pësuar rënien më të madhe në 8 vitet e fundit. Sipas raportit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, e cila mat klimën e të bërit biznes, shkaqet lidhen me situatën politike dhe përkeqësimin e konkurrencës në treg.

E pranishme në prezantimin e raportit ishte edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, e cila i kërkoi palëve politike që të mos i hedhin fajin njëra-tjetrës, por të bashkëpunojnë për hir të interesit të shqiptarëve: “Askush nuk habitet nëse mëson se anketimi tregon rënie në klimën e biznesit. Ka qenë vit i vështirë me dy tërmete dhe me koronavirusin, ka problematika strukturore, por shpresoj që të punojmë bashkërisht për të zgjidhur këtë çështje”.

Ndërkohë, ministri i Sipërmarrjes, Eduard Shalsi, dhe ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, paraqitën argumentat e tyre për situatën.

“Rritja ekonomike ka qenë rreth 4% dhe kemi pasur nivelet më të ulëta të papunësisë. Jemi krenarë për ato që kemi bërë, por jemi superkoshientë që kemi ende punë për të bërë”, tha Shalsi.

Tabaku theksoi: “Më pëlqen optimizmi i zotit Shalsi, por treguesit që u prezantuan tregojnë një situatë dhe një pamje të vendit që nuk është ajo që do të dëshironim”.