Macron humbet zgjedhjet, presidenti premton 15 miliardë euro investime të “gjelbra”

“Ekologjia do të jetë në zemër të modelit tonë ekonomik”. Me këtë fjali, presidenti, Emmanuel Macron, provon të përqafojë valën e gjelbër për të harruar humbjen e “La Republique en marche” në zgjedhjet për bashkitë e Francës, të cilat janë fituar ndjeshëm nga ambientalistët. Shefi i pallatit Elize priti në takim 150 francezë të zgjedhur në mënyrë të rastësishme, që punuan për 9 muaj në Konventën për Klimën duke pohuar se tani është koha për të përshpejtuar transformimin ekologjik.

“Shteti do të bëjë të gjithë pjesën e tij. Prandaj duke nisur nga plani i rimëkëmbjes ekonomike që ne po përgatisim, do të vendosim në dispozicion dhe 15 miliardë euro shtesë në dy vitet e ardhshme për të mundësuar tranzicionin ekologjik të ekonomisë sonë”, tha Macron.

Macron shtoi se nuk pranon propozimin për një taksë dividenti 4%, pasi sipas tij, kjo dëmton investimet. Megjithatë tha se dëshiron që të lëvizë shpejt në politik bërjen pro-mjedisit dhe thekson se është i gatshëm të organizojë një referendum për rishikimin e kushtetutës për të vendosur synimet në çështjen e klimës, nëse parlamenti do ta lejojë një gjë të tillë. Kjo qasje ambientaliste e Macron vjen në një koencidencë jo shumë rastësore dhe më shumë duket si kundërpërgjigje për rezultatin negativ të zgjedhjeve lokale, të shënuara nga një abstenim tepër shqetësues prej mbi 60%. Partia e Gjelbër Franceze, e njohur zyrtarisht si Ekologjia Europiane- Të Gjelbërit, surprizuan Macron dhe Francën në votën e së dielës duke marrë drejtimin e qyteteve të mëdha përfshirë Lionin, Bordon dhe Strasburgun, shpesh në aleancë me të majtën. Partia e Macron nuk arriti asnjë fitore të vetme në qytetet e mëdha, një rezultat i cili zbeh shpresat për një rizgjedhje të tij në 2022.